Vendosni fjalën kyçe....

Vjosa Osmani: Përpjekjet e Vuçiçit për të destabilizuar Kosovën sipas metodave të Putinit do dështojnë


Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani u ka bërë thirrje qytetarëve serbë të Kosovës që të mos bien pre e propagandës së Beogradit lidhur me zhvillimet e fundit në veri të vendit.

Ajo shkruan se reciprociteti nuk është drejtuar kundër askujt por është në favor të qytetarëve pa dallim përkatësie.

Po kështu Osmani thekson se autoritetet e Kosovës po punojnë ngushtë me partnerët ndërkombëtarë ndërsa e mbyll postimin duke shkruar se përpjekjet e presidentit serb Vuçiç për destabilizim të Kosovës, i cili po sillet me metodat e presidentit rus Putin, do dështojnë.

“Masa e reciprocitetit nuk është e drejtuar kundër askujt, por në favor të qytetarëve pa dallim përkatësie. Prandaj, ftoj qytetarët serbë të Republikës së Kosovës që të mos bien pre e propagandës nga Beogradi. Policia e Kosovës dhe të gjitha institucionet e sigurisë po punojnë shumë për të garantuar respektimin e sundimit të ligjit dhe lirinë e lëvizjes. Jemi duke u koordinuar e punuar pandalur me partnerët tanë ndërkombëtar. Përpjekjet e Vuqiçit për destabilizim të Kosovës, i cili po shërbehet me metoda të mentorit të tij- Putinit, do të dështojnë.” – shkruan Osmani.