Një nga biznesmenët më të pasur të Ukrainës dhe gruaja e tij janë vrarë nga sulmet ruse në qytetin jugor të Mykolaiv.
Siç shkruan BBC, Oleksiy Vadatursky, 74 vjeç dhe gruaja e tij Raisa vdiqën kur një raketë goditi shtëpinë e tyre gjatë natës.
Vadatursky zotëronte “Nibulon”, një grup i përfshirë në eksportet e grurit. Ai kishte marrë edhe çmimin “Hero i Ukrainës”.
Kryetari i bashkisë së Mykolaiv, Oleksandr Senkevych tha se ky ishte ndoshta bombardimi më i rëndë rus i qytetit deri më tani. Ka patur dëme në një hotel, një kompleks sportiv, dy shkolla dhe një servis, si dhe banesa.
Qyteti Mykolaiv i cili është në rrugën kryesore për në Odesa, porti kryesor i Ukrainës, është goditur vazhdimisht me raketa.
Udhëheqësi i rajonit Vitaliy Kim tha se biznesmeni i ndjerë Vadatursky “bëri shumë për rajonin e Mykolaiv, shumë për Ukrainën”.
Ai shtoi: “Kontributi i tij në zhvillimin e industrisë bujqësore dhe të ndërtimit të anijeve, zhvillimin e rajonit është i paçmuar.”
Grupi Nibulon ka ndërtuar shumë objekte magazinimi dhe infrastrukturë tjetër për eksportimin e grurit.
Ukraina dhe Rusia janë eksportuesit kryesorë të grurit dhe drithërave të tjera, dhe ndërprerja e eksporteve të shkaktuara nga lufta ka bërë që çmimet e ushqimeve të rriten në mbarë botën.