Vendosni fjalën kyçe....

24 viktima nga përmbytjet në Pakistan


Shirat e rrëmbyeshëm dhe përmbytjet kanë vrarë 24 persona të tjerë në të gjithë Pakistanin dhe pjesën e tij të kontrolluar të Kashmirit gjatë 24 orëve të fundit, raportuan zyrtarët dhe mediat lokale të hënën.

Të paktën 10 persona, përfshirë gra dhe fëmijë, u vranë dhe disa të tjerë u plagosën kur çatia e një shtëpie u shemb në distriktin Rawlakot të Kashmirit të administruar nga Pakistani të dielën vonë në mbrëmje, tha qeveria rajonale.

Një grua dhe dy vajzat e saj të mitura u vranë në një tjetër shembje çatie në rrethin Mardan të provincës veriperëndimore Khyber Pakhtunkhwa, njoftoi media vendase Dunya News.

Gjithsej 12 persona humbën jetën në aksidentet e lidhura me shirat në krahinë gjatë 24 orëve të fundit.

Balochistan, Khyber Pakhtunkhwa dhe pjesët jugore të provincave Punjab janë rajonet më të goditura, ku rrebeshet masive dhe përmbytjet kanë detyruar dhjetëra mijëra njerëz të lënë shtëpitë e tyre.

Punonjësit e shpëtimit të mbështetur nga trupat e ushtrisë po luftojnë për të përballuar numrin në rritje të viktimave për shkak të shirave të pandërprerë dhe përmbytjeve në disa pjesë të Balochistanit dhe Punjabit jugor, ku njerëzit janë strehuar në tenda përgjatë rrugëve kryesore dhe zonave më të larta.

Vetëm në Balochistan, rreth 145 njerëz kanë humbur jetën gjatë periudhës së vazhdueshme të musonit që goditi provincën në qershor, sipas autoritetit provincial të menaxhimit të fatkeqësive.