Vendosni fjalën kyçe....

Begaj bisedë telefonike me Osmanin: Shmangët një provokim të rëndë, mbështesim dialogun Kosovë-Serbi


Pas takimit me kryeministrin e Spanjës Sanchez, presidenti i vendit Begaj ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologen e tij në Kosovë Osmani.

Gjatë bisedës u diskutua mbi tensionet në veri të vendit ku Begaj përshëndeti vendimin e matur që autoritetet e Kosovës morën në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, për të shtyrë zbatimin e vendimit të reciprocitetit me Serbinë për çështjet e dakordësuara më herët.

Kreu i shtetit nënvizoi se vendimi shmangu një provokim të rëndë për stabilitetin e Kosovës, veçanërisht në këtë situatë të ngarkuar me kërcënime e rreziqe të mëdha e të shtuara, për paqen dhe sigurinë e rajonin tonë pas agresionit rus në Ukrainë.

Presidenti i Republikës nënvizoi se, Kosova është tashmë një realitet i pakthyeshëm politik, kontribues për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe sovraniteti i saj mbetet i pacënueshëm.

Ai gjithashtu tha se i bashkohet thirrjes së aleatëve në NATO dhe partnerëve ndërkombëtare për vijimin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Vetëm nëpërmjet një dialogu konstruktiv dhe intensiv do të mund të adresohen drejtë të gjitha çështjet e hapura mes Kosovës dhe Serbisë. Shqipëria do të vijojë të kontribuojë me të gjitha mundësitë dhe kapacitetet e saj për ruajtjen e paqes dhe stabilietit në rajon, si dhe të mbështesë fuqishëm vijimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.”- nënvizoi Presidenti Begaj gjatë bisedës telefonike me Presidenten Osmani.