Kërkesa globale për qymyr mund të arrijë në 8 miliardë tonë në vitin 2022, duke përputhur me një nivel historik të vendosur në vitin 2013 dhe duke u rritur më tej në 2023, tha Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) në një raport përditësues të tregut të qymyrit.
“Bazuar në kërkesat e tanishme ekonomike dhe të tregut, konsumi global i qymyrit parashikohet të rritet me 0.7% në 2022 në 8 miliardë tonë, duke supozuar se ekonomia kineze rimëkëmbet siç pritej në gjysmën e dytë të vitit. Kjo kërkesë do përputhet me vlerën vjetore rekord të vendosur në vitin 2013 dhe kërkesa për të ka të ngjarë të rritet më tej vitin e ardhshëm në një nivel të ri të të gjitha kohërave.” – thuhet në raport.
Sipas agjencisë, kërkesa po nxitet nga rritja e çmimeve të gazit natyror, duke detyruar shumë vende të kalojnë gjithnjë e më shumë nga gazi në qymyr dhe të rihapin termocentralet e mbyllura më parë me qymyr.
Raporti thekson se Kina, e cila është ‘përgjegjëse për më shumë se gjysmën e konsumit global të qymyrit’, do jetë shtytësi kryesor për rritjen e kërkesës në gjysmën e dytë të 2022, pavarësisht se kërkesa do bjerë me 3% në gjysmën e parë të vitit.
Kërkesa për qymyr në Indi gjithashtu pritet të rritet për shkak të rritjes ekonomike të vendit dhe përdorimit më të gjerë të energjisë elektrike.
BE-ja parashikohet gjithashtu të ndikojë në kërkesë, pasi ajo po i kthehet gjithnjë e më shumë qymyrit në prodhimin e energjisë elektrike për të zëvendësuar gazin ose për ta kursyer atë për dimër për shkak të rënies së importeve të gazit rus.
IEA shton se tregjet e qymyrit do mbeten të paqëndrueshme në vitin 2023, veçanërisht pas hyrjes në fuqi të embargos së qymyrit të BE-së dhe çmimet mund të vazhdojnë të rriten edhe vitin e ardhshëm.