Vendosni fjalën kyçe....

Holanda u rikthehet sobave me dru, alarm për shtimin e ndotjes – Media


Smogu dhe ndotja e grimcave do rritet në Holandë këtë dimër, kanë paralajmëruar autoritetet e shëndetit publik. Rritja është e lidhur me më shumë familje që zgjedhin të djegin dru zjarri ndërsa çmimet e gazit rriten.

Shitjet e sobave me dru dhe pelet janë rritur me 30% që nga vera e kaluar, raportoi të dielën ‘De Volkskrant’. Kërkesa tani është aq e lartë, raportoi gazeta, sa prodhuesit po luftojnë për të ofruar mjaftueshëm nga këto soba.

Furnizuesit e druve të zjarrit, ndërkohë, tashmë po mbarojnë stokun dhe gjetja e më shumë trungjeve është një propozim i vështirë, pasi agjencia holandeze e pyjeve kundërshton të furnizojë pemë për industrinë e druve të zjarrit.

Me faturat e gazit dhe të energjisë elektrike në nivele rekord, kalimi i disa konsumatorëve drejt djegies së drurit do ketë pasoja mjedisore, paralajmëroi Instituti Kombëtar për Shëndetin Publik (RIVM).

“Shitja e drurit është e lidhur me konsumin dhe me të vërtetë pritet që kjo të mos ketë një ndikim pozitiv në ndotjen e ajrit.” – tha një zëdhënës për De Volkskrant.

Ndërsa instituti po heton se çfarë masash mund të merren për të pakësuar këtë rrezik ndotjeje, kompetencat e tij aktualisht janë të kufizuara. Ai mund të paralajmërojë familjet kundër ndezjes së zjarrit në ditët kur rreziku i smogut është i lartë, por nuk mund të zbatojë një ndalim.

Ekspertët shëndetësorë kërkuan një ndalim muajin e kaluar, duke i thënë parlamentit se një masë e tillë do ishte e nevojshme në dimër kur më shumë zjarre do rrisnin mundësinë e smogut. Megjithatë, tani për tani nuk ka asnjë burim tjetër të qëndrueshëm të nxehtësisë për të zëvendësuar gazin ose karburantin e ngurtë.

Holanda nuk është i vetmi vend evropian ku zjarret e drurit po rikthehen. Polonia u dha leje qytetarëve të saj të grumbullonin lëndë drusore për djegie muajin e kaluar, ndërsa letonezët kanë nxituar për leje grumbullimi të druve të zjarrit dhe Hungaria ka urdhëruar ndalimin e eksporteve të druve të zjarrit.

Në Britani, Brigada e Zjarrfikësve të Londrës tha në maj se oficerët e saj ishin përgjigjur ndaj 100 zjarreve në shtëpi në muajt e mëparshëm, të shkaktuara nga njerëz që digjnin dru në zjarre të hapura për të qëndruar ngrohtë.

Ndërsa çmimet e gazit në të gjithë Evropën po rriteshin në mënyrë të vazhdueshme që nga fundi i pandemisë së koronavirusit, rritja u përshpejtua ndjeshëm që kur Rusia nisi operacionin e saj ushtarak në Ukrainë në shkurt.