Një infermiere katolike në Ontario, Kanada, fitoi të drejtën e një përjashtimi fetar nga vaksinimi kundër Covid-19 për shkak të lidhjes ‘mjaft të largët’ midis vaksinave dhe fetuseve të abortuara, ka vendosur një gjykatë për këtë çështje.
Papa Françesku dhe udhëheqësit e tjerë katolikë u kanë kërkuar besimtarëeve katolikë të bëjnë vaksinat kundër Covid, duke këshilluar se është një ‘detyrim moral’. Fakti që disa vaksina u zhvilluan ose u bënë me linja qelizore që rrjedhin nga fetuset e ndërprera dekada më parë nuk do të thotë se katolikët po e pranojnë abortin, thonë ata.
Por gjyqtari Robert Herman tha se spitali e diskriminoi infermieren e paidentifikuar, një anëtare e grupit konservator ‘Latin Mass’ të katolikëve, kur nuk i dha mundësinë që të mos vaksinohej.
Vaksinimi kundër Covid do ndërhynte në ‘ushtrimin e besimit të saj dhe marrëdhënien e saj me hyjnoren’, tha ai.
Urdhrat për vaksinat janë hequr dalëngadalë në gjithë Kanadanë dhe punonjësit kanë qenë gjithmonë në gjendje të aplikojnë të paktën për një përjashtim fetar, pa asnjë garanci për sukses.
Por vendimi muajin e kaluar, mund të jetë i pari në Kanada që ofron njëfarë qartësie ligjore se kur justifikohen përjashtime të tilla.
Herman tha se kishte mospërputhje në dëshminë e infermieres, si fakti që ajo kishte kundërshtuar vaksinën e Covid muaj para se të mësonte për lidhjen e fetusit me vaksinën, por kjo në fund të fundit nuk kishte rëndësi.