PD ka denoncuar veprimet e Serbisë në kufirin me Kosovën duke theksuar se ato nxisin konflikt e synojnë destabilizimin e rajonit.
Në një deklaratë për mediat nga selia blu, anëtari i kryesisë Aldo Bumçi tha se PD i bën thirrje Beogradit që të zbatojë marrëveshjet e nënshkruara e të dakordësuara prej tij.
“PD po i ndjek me kujdes e shqetësim situatën në Kosovë. I japim mbështetje të plotë qeverisë së Kosovës që është në të drejtën e saj të ligjshme e sovrane për të garantuar sundimin e ligjit në territorin e saj. Mbështesim vendimin e qeverisë së Kosovës për të vendosur reciprocitet në marrëdhëniet me republikën fqinje të Serbisë. Qeverisë serbe i bëjmë thirrje t’u përmbahet marrëveshjeve të nënshkruara e t’i zbatojë pa vonesë. Dënojmë deklaratat e Serbisë që nxisin konflikt, synojnë destabilizimin e Kosovës dhe janë me pasoja për rajonin. Përshëndesim maturinë e autoriteteve të Kosovës dhe vetëpërmbajtjen e qytetarëve të saj në menaxhimin e kujdesshëm të këtij provokimi të përsëritur.” – tha Bumçi.
Ai shtoi më tej PD vlerëson përfshirjen e KFOR-it, SHBA-së e BE-së për garantimin e kufijve të Kosovës e qetësimin e gjendjes.
Bumçi dënoi heshtjen e autoriteteve shtetërore shqippare duke i bërë thirrje kryeminisrit Rama që të ndërmarrë hapat e duhur për mbështetjen e Kosovës. Po kështu ai dënoi nismën e Ballkanit të Hapur duke e quajtur atë hipokrizi e dyshes Rama-Vuçiç.
“Gjithashtu përshëndesim angazhimin e KFOR-it, SHBA-së e BE-së për qetësimin e situatës e garantimin e paprekshmërisë së Kosovës e pacenueshmërisë së kufijve të saj. E konsiderojmë të papranueshme heshtjen e autoriteteve më të larta shtetërore të Shqipërisë duke cenuar rëndë interesin kombëtar e sigurinë rajonale. I bëjmë thirrje qeverisë të ndërmarrë pa vonesë të gjitha hapat për të mbështetur qeverinë e Kosovës në përpjekjet legjitime për të ushtruar në mënyrë të plotë sovranitetin e saj e të dënojë çdo akt të Serbisë që nxit konflikte për aktorë të tretë. Qeveria shqiptare duhet t’i përmbahet detyrimit për të mbrojtur interesat kombëtare kurdo e kudo që ato cenohen. Duam të theksojmë hipokrizinë e nismës së Ballkanit të Hapur e protagonistëve të saj Rama e Vuçiç. Nëse hapja do ishte synimi i tyre, nëse Kosova do konsiderohej siç thonë e mirëpritur në këtë projekt, aktet absurde të nacionalizmit të shekullit në 19-të dhe paradat e serbomadhnisë në kufirin mes dy vendeve nuk do përsëriteshin edhe njëherë.” – mbylli Bumçi.