Vendosni fjalën kyçe....

Presidenti Begaj pret kryeministrin e Spanjës: Kosova realitet i pakthyeshëm, faktor stabiliteti e paqeje në rajon


Presidenti Begaj ka pritur në takim kryeministrin e Spanjës, Pedro Sanchez.

Gjatë takimit kreu i shtetit theksoi situatën e tensionuar në veri të Kosovës, duke vlerësuar autoritetet e Kosovës për maturinë e treguar, që në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë shmangën një provokim të rëndë për stabilitetin e Kosovës, duke vënë theksin te siguria e rajonin pas agresionit rus në Ukrainë.

“Kosova tashmë është një realitet i pakthyeshëm politik, kontribues për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe i konfirmuar jo vetëm nga mbi gjysma e vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara që e kanë njohur atë, por edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, 11 vjet më parë, u shpreh Kreu i Shtetit duke iu referuar anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.” – tha Begaj.

Po kështu kreu i shtetit shprehu besimin se qeveria spanjolle do gjente mënyrat e duhura politike e diplomatike për ta lehtësuar e mundësuar praninë e Kosovës në organizatat e ndryshme evropiane dhe ndërkombëtare, si dhe për lëvizjen pa viza të qytetarëve të saj në hapësirën e BE-së, ashtu si të gjithë qytetarët e tjerë të rajonit të Evropës Juglindore.

Ai shprehu keqardhje dhe solidaritet me popullin dhe qeverinë spanjolle për dëmet e mëdha që vala e nxehtit dhe zjarret masive kanë shkaktuar në Spanjë ndërsa vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme dhe të pakursyer që Spanja i ka dhënë Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit evropian.

“Jam besimplotë se gjatë Presidencës spanjolle të Bashkimit Evropian, në 6-mujorin e dytë të vitit të ardhshëm, mbështetja e Kryeministrit Sanchez dhe e qeverisë së Spanjës do të jetë shumë domethënëse për procesin e negociatave të aderimit të Shqipërisë në BE.” – nënvizoi Presidenti Begaj.