Kryeministri Rama ka përsëritur mbështetjen për qeverinë e Kosovës lidhur me situatën në veri të vendit duke theksuar se Prishtina ka të gjithë të drejtën dhe detyrën që të mbrojë sovranitetin në gjithë territorin e saj.
Kreu i qeverisë tha se marrëveshja në fjalë është dakordësuar mes palëve gjatë bisedimeve në Bruksel dhe ajo duhet zbatuar nga Beogradi.
Gjatë fjalës së tij Rama tha se pavarësisht marrëdhënies miqësore me presidentin serb Vuçiç, kjo nuk e pengon atë që të të ndahet me të për çështjet ku nuk janë dakord.
“Ngjarja e djeshme është pasaqyrë e vështirësisë së thellë që ka në këtë marrëdhënie. Ushtrimi i sovranitetit në gjithë territorin e Kosovës bazuar në marrëveshjen e dakordësuar mes Kosovës e Serbisë lidhur me temën që është bërë shkak i këtij acarimi është një detyrë dhe e drejtë e institucioneve të Kosovës dhe në këtë pikë e mbështes 100% qeverinë e Kosovës që kërkon që marrëveshja të zbatohet. Përgëzoj Albin Kurtin për sensin e vetëpërmbajtjes dhe dëgjimin e aleatëve që këshilluan një shtyrje 30 ditore për t’i dhënë kohë që të sqarohet gjithçka. Këto situata nuk tregojnë që Ballkani i hapur është i panevojshëm apo i gabuar. Ato nu tregojnë që qasja jonë ndaj Serbisë dhe politika e paqes është e panevojshme. Ato tregojnë pikërisht pse Ballkani i Hapur duhet. Pse Kosova duhet të vijë të ulet në tavolinën e Ballkanit të Hapur. Me presidentin e Serbisë marrëdhënia miqësore nuk më pengon të ndahem aty ku nuk jemi dakord.” – tha Rama.