Vendosni fjalën kyçe....

Rreth 170 milionë euro të ardhura nga doganat për korrikun, rekord në 30 vjet


Kërkesa për mallrat kryesore të konsumit e nxitur nga turizmi, e kombinuar me shtrenjtimin e çmimeve kanë sjellë rritjen e zhdoganimeve dhe të ardhurave nga doganat për buxhetin e shtetit gjatë korrikut.

Shifrat zyrtare tregojnë se Doganat kanë shënuar një rekord të të ardhurave të mbledhura në një muaj duke ju afruar shifrës 20 miliardë lekë (rreth 170 mln euro), shuma absolute më e lartë e arritur në historinë e Administratës Doganore në një muaj.

Të dhënat operative nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave tregojnë se në muajin korrik 2022 të ardhurat u realizuan në masën 19 miliardë e 625 milionë lekë. Krahasuar me planin e rishikuar (të rritur) janë realizuar rreth 775 milionë lekë më shumë ndërkohë që krahasuar me korrik 2021 janë realizuar rreth 2,5 miliardë lekë më shumë ose me rritje me rreth 14,4%.

Ndër arsyet kryesore, Dogana vlerëson rritjen e performancës së administratës doganore, dixhitalizimin e shërbimeve dhe rritjen e zhdoganimeve të mallrave të akcizës gjatë korrikut kryesisht nga sasia rekord e konsumit të cigareve prej 277 ton, kafesë rreth 600 ton, birrës rreth 12,250 mijë litra etj.

Si periudhë 7-mujore, doganat kanë realizuar 122,7 miliardë lekë të ardhura ose rreth 5,5 miliardë lekë më shumë se plani i rishikuar. Në krahasim me 7-mujorin 2021 janë realizuar rreth 20,8 miliardë lekë më shumë ose rreth 20,4% më shumë.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor