Botimi i Shpëtim Nazarkos dhe Arban Ukës më 22 qershor 2022, i referimit të mbajtur në Kongresin e 15-të Marcel Grossman, në Romë, ka nxitur Profesor Artan Fugën të bëjë një status në lidhje me këtë sukses të mikut të tij Nazarko.
Marcel Grossman, ka qenë një matematikan zviceran, shok klase i Ajnshtajnit që e ndihmoi në teorinë e tij të relativitetit.
Në emrin e tij, prej shumë vitesh zhvillohen nën kujdesin e shkencëtarëve të mëdhenj të kësaj fushe, kongreset Marcel Grossman.
Qëllimi i këtyre kongreseve që organizohen prej 1985- kongresi më i vjetër në këtë fushë,- është t’u ofrojë nxitje shkencëtarëve që të thellojnë kuptimin tonë të strukturave të hapësirë-kohës, ashtu si dhe të analizojnë gjendjen e eksperimenteve në vazhdim që synojnë të testojnë teorinë e gravitacionit të Ajnshtajnit.
Drejtuesi dhe themeluesi i këtij kongresi, së bashku me nobelistin Abdus Salam prej 1985 është njeri nga shkencëtarët më të mëdhenj të fizikës teorike në botë, Remo Ruffini, drejtor i Qendrës Botërore të Astrofizikës Relativistike.
Ideja themelore e punimit
Ideja themelore e punimit të Shpëtim Nazarkos në fjalë ,për të interesuarit e fizikës mund të gjendet në https://www.worldscientific.com/doi/epdf/10.1142/9789811258251_0106. Krejt referimi gjendet në përmbledhjen me 3 vëllime të referimeve në atë kongres.
Punimi me titull: Shprehja e re e energjisë, dhe përdorimi i parametrave hapësinorë për të arritur Unifikimin, bazuar në idetë e Ajnshtajnit dhe Uilerit (Wheleer)”përfaqëson një përpjekje origjinale në drejtimin kryesor që kërkon fizika sot-Unifikimin, me formulat e veta koherente, me një numër të kufizuar konstantesh fizike, etj. Në lidhje me punimin, formulat në fjalë, kishte shprehur konsiderata vlerësuese një shkencëtar i madh rus, Igor Byluzhenkov.
Ai shprehte vlerësimin për këtë punim dhe në një botim të mëhershëm shkencor të tijin, në një revistë të Astrofizikës.
Vlerësimi i shkencëtarit rus në Astrofizika
Më poshtë gjendet edhe botimi i referimeve të Kongresit të 15.
Komenti i Artan Fugës
Akademiku Artan Fuga, shkruan mbi suksesin e arritur nëpërmjet botimit që synon të paraqesë të thjeshtëzuar idenë kryesore dhe të shtrojë shqetësimin për cilësinë e teksteve të shkollës tonë.
Filozofi, fizikë, gjeopolitikë me mikun tim Shpëtim Nazarko një ditë të nxehtë behari te Melissa në Durrës.
Kishte edhe miq të tjerë, por po i lë një çikë qetë këtë radhë!
Urimet më të mira mikut tim Shpëtim Nazarko për pjesëmarrjen në Kongresin e 15-të, mbi teorinë e përgjithshme të relativitetit, mbajtur në Romë, si edhe botimin e kumtimit shkencor ku Arban Uka dhe Shpëtim Nazarko kanë paraqitur idenë dhe interpretimin e tyre mbi shprehjet e reja të energjisë dhe parametrat hapësinorë për të realizuar unifikimin bazuar te teoritë e Ajnshtajnit dhe Wheeler.
Këtu në një ditë vape korriku duke dëgjuar me ëndje mikun tim dhe diskutuar me të për shprehjen gjuhësore dhe matematikore të botës kuantike, për filozofinë e re bazuar te zbulimet dhe interpretimet kuantike që nga Punkareja, De Brojli, Bohri deri te Heizenbergu, Shredingeri!
Në fakt atë ditë i fala me qejf mikut tim librin e Max Plankut blerë gabimisht në Paris sepse kishte shume formula matematikore dhe nuk penetroja dot në to! Ai po! E do shumë atë konstanten e Plankut!
Unë kurrë nuk fal libra, por ai e meriton !
Po hallin se kam këtu. Shpëtim Nazarko kur e pyet vlerëson arsimimin e tij dikur në shkollën e mesme, shahist i shkëlqyer, njohës i fizikës kuantike, mendimtar në fushën e filozofisë të shkencave, gjeopoliticien, botues!
Të mendosh se filozofia sot në shkollën e mesme ka mbetur deri te fizika e Njutonit! E shumta deri te konceptet e mekanicizmit dhe materializmit !
Me shekuj pas!
Si të ulurish!
Ku të lehësh si qen!
Ku të kafshosh si ujk!
Lëre se nuk të dëgjojnë, por as të kuptojnë. Të shohin me ca sy idiotë dhe rrinë si hunj gardhi!
A na jep vota ky Heizenbergu ? – duket sikur pyesin. Po tendera a bën?
Të gjitha këto që brezat të mos mbesin injorantë dhe idiotë në logjikë dhe botëkuptim!
Nazarko i Madh buzëqesh kur i çaj veshët me këto piskama!
Është një çikë si shumë elitar dreqin e vet! Unë jam masovik E dua dijen për masat!
Urime shumë zotit Uka dhe atij!/BalkanWeb