Deputetja e PD-së Flutura Açka ka reaguar lidhur me aksidentin me gomone që i mori jetën një fëmije 7-vjeçe në plazhin Potam, të Himarës.
Açka thotë se vogëlushja që humbi jetën pasi u përplas nga një gomone e drejtuar nga një punonjës policie “u vra nga babëzia”.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Açka u bën thirrje familjarëve të 7-vjeçares se nëse kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Turizimit, Mirela Kumbaro, u shkojnë me lule në mort tek dera t’i përzënë.
“Vaj për një fëmijë që e vrau babëzia.
Ngushëllime të thella familjes së vajzës 5-vjeçare J.A, e vrarë sot nga skafi në Himarë!
Dhe iu bëj thirrje njerëzore t’i përzënë nëse u shkojnë te dera këta të dy me lule në mort.
Këta të japin dorëheqjen para shqiptarëve!
Se nga babëzia nuk lanë një metër plazh publik për shqiptarët dhe asnjë plazh të qetë për familjarët.
Kjo që po them nuk është politike, por njerëzore.
Të pangopur!!!”- shkruan Açka.
Aksidenti ndodhi mesditën e sotme, ku një fëmijë 7 vjeç humbi jetën, si pasojë e goditjes nga një mjet lundrues që drejtohej nga një oficer policie.
Drejtuesi i mjetit lundrues ishte ish-shefi i Komisariatit të Himarës, Arjan Tase. Aktualisht ai mbante detyrën Shef Seksioni i Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Elbasan. Por u përjashtua nga radhët e Policisë direkt pas ngjarjes.