Vendosni fjalën kyçe....

Aksidenti që i mori jetën 7-vjeçares në Himarë/ Meta: Duhet hetim i thelluar, mjaft arrogancës dhe papërgjegjshmërisë në Policinë e Shtetit


Ish-presidenti i vendit dhe kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka reaguar pas aksidentit të ndodhur sot në Himarë, ku një gomone përplasi për vdekje një vajzë 7-vjeçare.

Meta thotë se ndihet i tronditur nga ngjarje ndërsa dënon situatën e sigurisë në plazhe. Ai kërkon një hetim të thelluar lidhur me ngjarjen.

Thellësisht i tronditur nga ngjarja tragjike në plazhin e Himarës, ku zyrtari i lartë i Policisë së Elbasanit A.T i mori sot jetën një vajze të mitur 7-vjeçare, e cila kishte ardhur me familjen për pushime në Shqipëri.

Duke ju shprehur ngushëllimet më të ndjera familjes dhe të afërmve për humbjen e vogëlushes së tyre të shtrenjtë, dënoj me forcën më të madhe situatën katastrofike të sigurisë publike në plazhe, në pikun e sezonit turistik, fatkeqësisht me pasoja kaq tragjike të përsëritura.

Hetim i menjëhershëm i thelluar dhe ndëshkim të ashpër për shkeljen e ligjit nga drejtuesit e Policisë së Shtetit!

Mjaft arrogancës dhe papërgjegjshmërisë në Policinë e Shtetit!”- shkruan Meta.

Aksidenti ndodhi mesditën e sotme, ku një fëmijë 7 vjeç humbi jetën, si pasojë e goditjes nga një mjet lundrues që drejtohej nga një oficer policie.

Drejtuesi i mjetit lundrues ishte ish-shefi i Komisariatit të Himarës, Arjan Tase. Aktualisht ai mbante detyrën Shef Seksioni i Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Elbasan. Por u përjashtua nga radhët e Policisë direkt pas ngjarjes.