Vendosni fjalën kyçe....

Balliu: Vrasja në Himarë nuk ishte aksident, tregon se në dorë të kujt është lënë siguria publike


Nga selia blu, Sekretari Organizativ, Klevis Balliu, ka folur mbi vrasjen e të miturës nga gomonia që drejtohet nga eksponenti i policisë në Himarë.

Balliu e ka quajtur si atentat të dyfishtë dhe se tregon gjendjen e sigurisë në vend, ku policë të arrestuar vijojnë të punojnë dhe më pas vrasin edhe njerëz të tjerë.

Deklarata e plotë:

Një fëmijë 7 vjeçare ka humbur jetën në një plazh të Himarës para disa orësh.

Njoftimi i komunikatës së Policisë e klasifikon si aksident.

Një skaf që drejtohej nga Arjan Tase, shef komisariati në Elbasan, e ka goditur duke i marrë jetën një vajze të vogël që po pushonte me prindërit.

Policia mund ta klasifikojë si të dojë, por rasti nuk është asgjë më pak se vrasje.

Eshtë një atentat i dyfishtë, për faktin se një njeri i paguar dhe graduar për të mbrojtur jetën e qytetarëve, e merr atë.

Shefi i Komisariatit të Elbasanit Arjan Tase është përjashtuar nga radhët e Policisë nga drejtori i Përgjithshëm Nano, ndërkohë që kjo duhet të kishte ndodhur kohë më parë.

Tase, sipas raportimeve meditaike, është arrestuar 2 vjet më parë, kur ishte shef i Policisë së Himarës, për bashkëpunim me trafikantët e drogës.

Ky është rasti i dytë në pak ditë, që një mjet lundrues, del nga deti dhe godet pushuesit. Kjo nuk është shenjë e pakujdesisë, por e sigurisë publike të lënë në duar trafikantësh. Ata që lejojnë trafikun e drogës mund të lejojnë, pa i vrarë ndërgjegjja edhe skafistët e papërgjegjshëm, dhe madje të jenë vetë në timon të mjeteve lundruse që vrasin njerëz.

I shprehim ngushëllimet më të ndjera familjes Avdia që ka humbur dritën e syve.

Shqiptarëve u kërkojmë të shohin në sy të vërtetën e një shteti pupac, që del nga toka dhe deti, jo për t’i mbrojtur, por për t’i dëmtuar.

Kur të rrezikshmit e drejtojnë, Shqipëria është në rrezik!