Vendosni fjalën kyçe....

Biden nënshkruan 550 milionë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën


Presidenti i SHBA Joe Biden ka urdhëruar një dërgesë shtesë prej 550 milionë dollarësh në Ukrainë, kryesisht për të rimbushur municionet për raketat HIMARS që Kievi i ka shpallur si një armë që mund të ndryshojë ‘lojën’ në konfliktin e tij me Rusinë.

Raundi i fundit i armatimit për Ukrainën u miratua të premten, u tha gazetarëve në një konferencë në Shtëpinë e Bardhë zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA, John Kirby. Paketa e re e ndihmës do të përfshijë armatime për raketat HIMARS dhe predha artilerie 155 milimetrash.

Zyrtarët e lartë të administratës së Bidenit, përfshirë Sekretarin e Shtetit Anthony Blinken, Kryetarin e Shefave të Shtabit të Përbashkët Mark Milley dhe Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare Jake Sullivan, folën me homologët e tyre ukrainas më herët të premten për t’i informuar ata për miratimin e fundit të ndihmës, tha Kirby.

Që nga fillimi i sulmit ushtarak rus kundër Ukrainës në shkurt, Biden ka autorizuar 17 paketa ndihme për Kievin.

Këto miratime përbëjnë më shumë se 8 miliardë dollarë dërgesa armësh. Kongresi miratoi 40 miliardë dollarë ndihmë të përgjithshme për Ukrainën në maj, pasi më parë kishte dhënë 13.6 miliardë dollarë. Çdo raketë për sistemin thuhet se kushton rreth 150,000 dollarë.