Nga Arbër Zaimi
Ka një investim këmbëngulës për t’i larguar shtetet shqiptare nga njëri-tjetri.
Duhet ca kujdes dhe sens mase, edhe kur shprehet revolta e kritika.
Planet qëllimkëqija për Kosovën dhe rajonin gatuhen në Moskë e Beograd. Jo në Tiranë e Beograd, është gabim shkretues të mendohet kështu.
Po, Rama dhe rrethi i tij i biznesmenëve, analistëve etj., duhen kritikuar për pandjeshmërinë që shpesh shfaqin, a thua se qenka e këmbyeshme e drejta kombëtare me një grusht parash nga shitja e shalqinjve dhe shezlongëve. Heshtja e Tiranës, vonesat në denoncimin e vuçiçëve, grenellëve dhe sojit të tyre, lë ndonjëherë të duket sikur shalqinjtë e shezlongët janë komandues të opinionit (në fakt nuk është kështu, opinionin e drejtojnë interesa oligarkësh të mëdhenj, që veprojnë kudo në Ballkan, me rrënjë edhe te kapitali serb e rus).
Por edhe Tirana më e pandjeshme, ajo më e keqja e mundshme po të ishte, në asnjë mënyrë nuk barazohet me Beogradin e Moskën, as për së afërmi. E keqja e Tiranës nuk është kurrë aq e thellë, madje as në formë e as në substancë ajo nuk i përngjan të keqes nga Beogradi e Moska. E keqja e Tiranës, që i thotë vetes elitë, është vetëm një zhul i djersitur lakmie dritëshkurtër, që do ta shplante tej çdo shi vere, për të zbuluar prapë atë që është substanca e palëkundshme: solidaritetin mbarëpopullor me Kosovën.