Qytetarët janë organizuar në rrjetet sociale dhe kanë njoftuar datën e protestës në Tiranë, pas ngjarjes tragjike të Himarës, ku një 7-vjeçare u vra pas goditjes nga një mjet lundrimi që drejtohej nga komisari i policisë Arjan Tase.
Në njoftimin e shpërndarë në rrjetet sociale thuhet se të enjten, 4 gusht, do të protestohet para Ministrisë së Brendshme me moton “Nuk e vrau varka, por shteti”.
Qytetarët kërkojnë dorëheqjen e ministrave Bledi Çuçi dhe Mirela Kumbaro si përgjegjës direkt për mbarëvajtjen e sezonit turistik.
Ndërkohë thirrjes për protestë i është bashkuar Partia Demokratike dhe Partia e Lirisë.
“Partia Demokratike inkurajon çdo demonstrim civil dhe u bashkohet në indinjatë, të gjithë atyre shqiptarëve që zgjedhin çdo formë proteste, që nga statuset në rrjete sociale, te vigjiljet e solidaritetit dhe daljet publike të unifikuara, për tragjedinë e familjes Avdia, që humbi vajzën 7-vjecare. Protestat kundër dorës së shtetit që mbyll sytë e fëmijëve janë zëri i të gjithë të dhunuarve nga ky pushtet që nga thirrja ‘nuk keni parë gjë akoma!“, njofton zyra e shtypit e PD.
“Partia e Lirisë mbështet fuqimisht çdo formë proteste qytetare dhe bashkohet me indinjatën e madhe të gjithë opinionit publik të tronditur nga tragjedia që preku sot familjen Avdia, që humbi vogëlushen 7-vjeçare.
Është koha për t’i treguar këtij regjim kriminal, që varfëron, grabit, dhunon dhe vret fëmijë, se populli shqiptar është Zot i fateve të veta!“-thuhet në njoftimin e Sekretarit të Përgjithshëm Tedi Blushi.