Vendosni fjalën kyçe....

Pelosi viziton Tajpein  përkundër paralajmërimeve nga Kina: Amerika mbështet demokracinë e gjallë të Tajvanit


Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, Nancy Pelosi ka arritur në Tajvan, pavarësisht kërcënimeve të Kinës se Uashingtoni do të përballet me “pasoja serioze”.

Ajo u prit në aeroportin e Tajpeit nga ministri i Jashtëm i Tajvanit, Joseph Wu.

“Vizita në Tajvan e delegacionit të Kongresit tonë nderon zotimin e palëkundur të Amerikës në mbështetjen e demokracisë së gjallë të Tajvanit”, tha Pelosi.

“Solidariteti i Amerikës me 23 milionë banorët e Tajvanit është më i rëndësishëm se kurrë më parë, teksa bota përballet me zgjedhjen midis autokracisë dhe demokracisë”, shtoi ajo.

Zyrtarja e lartë amerikane pritet që të mërkurën të takohet me presidenten e Tajvanit, Tsai Ing-wen, si dhe të vizitojë Parlamentin e këtij shteti. Ajo pritet të përfundojë vizitën pasditen e 3 gushtit.

Vizita e saj në Tajvan vjen teksa media shtetërore kineze raportoi të martën se avionët luftarakë kinezë po fluturojnë mbi Ngushticën e Tajvanit.

“Avionët kinezë të llojit Su-35 po kalojnë mbi Ngushticën e Tajvanit”, raportoi media shtetërore TV CGTN, pa ofruar detaje të tjera.

Vizita e Pelosit në Tajpei të Tajvanit vjen mes paralajmërimeve të intensifikuara nga Kina dhe katër anije luftarake amerikane duke përfshirë një aeroplanmbajtëse, u pozicionuan në ujëra në lindje të ishullit.

Transportuesi i USS Ronald Reagan, që kishte kaluar transit në detin e Kinës Jugore, aktualisht është në detin e Filipineve, në lindje të Tajvanit dhe Filipineve dhe në jug të Japonisë, konfirmoi një zyrtar i marinës amerikane për Reutersin të martën.

Ronald Reagan (CVN 76) është aeroplanmbajtësja e nëntë e klasit Nimitz me energji bërthamore dhe është emëruar kështu për nder të presidentit të 40-të të Shteteve të Bashkuara.

“Derisa ato janë në gjendje t’i përgjigjen çdo eventualiteti, këto janë zhvendosje normale rutinore”, tha zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti.

Zyrtari i marinës amerikane tha se anija sulmuese USS Tripoli, ishte gjithashtu në zonë si pjesë e një dislokimi në rajon që nisi në fillim të majit nga porti i saj i origjinës, San Diego.

Konfirmimi i dislokimeve u bë pasi u shfaqën shenja të aktivitetit ushtarak në të dy anët e Ngushticës së Tajvanit para vizitës së Pelosit.

Pelosi, kritike për një kohë të gjatë e Kinës, viziton Tajvanin pasi Shtetet e Bashkuara deklaruan se nuk do të frikësoheshin nga ” kërcënimi i forcës ushtarake” kineze gjatë vizitës.