Është zyrtare, Gjeneral Brigade Arben Kingji do të jetë Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë.
Presidenti i Republikës Bajram Begaj ka dekretuar sot emërimin e Kingjit si Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, pas propozimit të tij nga kryeministri Edi Rama.
Deri më sot Gjeneral Brigade Arben Kingji mbante detyrën e Komandantit të Forcës Tokësore ndërsa më herët ka mbajtur detyrën e komandantit të Batalionit të Mbështetjes në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.
Kingji ka ushtruar edhe detyra të tjera si ajo e atasheut ushtarak të Republikës së Shqipërisë në Rumani, si dhe ka qenë edhe komandant i Policisë ushtarake.
Arben Kingji ka kryer Kursin e Shtabit të Përgjithshëm në Akademinë e Mbrojtjes në Tiranë.
Gjeneral brigade Kingji ka mbajtur detyrën e komandantit të kontingjentit në disa misione në Afganistan e Irak.
Në vitin 2016 ai përfundoi edhe studimet për drejtësi në Winsdom University. Për kontributet e tij në Forcat e Armatosura, gjeneral brigade Arben Kingji është nderuar me disa medalje. Ai mban edhe medaljen e Artë të Shqiponjës, dhënë nga Presidenti i Republikës.