Vendosni fjalën kyçe....

Putini: Perëndimi i hodhi parimet e tregtisë globale në plehra


Perëndimi ka dështuar të marrë parasysh “pasojat e dukshme” gjatë vendosjes së sanksioneve dhe ka “hedhur në kosh” parimet e tregtisë globale. Kështu tha të hënën presidenti rus Vladimir Putin.

Gjatë një takimi virtual mbi industrinë e metaleve të Rusisë, presidenti rus vuri në dukje se sektori vazhdon të përballet me sfida për shkak të sanksioneve perëndimore. Ai theksoi problemin e aksesit të kufizuar në tregjet ndërkombëtare dhe ndalimin e blerjes së pajisjeve të huaja për prodhimin e pajisjeve, metaleve të mbështjellë dhe fletëve të çelikut në Rusi.

“Siç e kam thënë tashmë, këto vendime janë marrë nga vendet perëndimore për hir të interesave politike, për më tepër, aktuale, oportuniste dhe që nuk pasqyrojnë realitetet as në politikën botërore dhe as në ekonominë botërore.”- tha ai sipas medias ruse RT.

Vladimir Putin argumentoi se sanksionet perëndimore nuk morën parasysh “pasojat e dukshme“, të tilla si rritja e kostos së materialeve të ndërtimit në tregun ndërkombëtar dhe nxitja e inflacionit global.

“Rënia e mirëqenies dhe cilësisë së jetës së qytetarëve të zakonshëm, para së gjithash në Evropë, nuk është me interes për politikanët, për të mos përmendur gjëra të tilla si respektimi i parimeve të Organizatës Botërore të Tregtisë. Këto gjëra thjesht janë hedhur në plehra.”– shtoi lideri rus.

Putin i përshkroi përpjekjet për të kufizuar industrinë e metaleve të Rusisë si një manifestim të hapur të konkurrencës së pandershme, një përpjekje e Perëndimit për të penguar bizneset ruse dhe për të rikonfiguruar tregjet botërore në favor të tyre.

Vendet perëndimore, përfshirë SHBA-në dhe anëtarët e BE-së, kanë vendosur sanksione gjithëpërfshirëse për pothuajse të gjitha aspektet e ekonomisë ruse që nga fillimi i ofensivës ushtarake të Moskës në Ukrainë në fund të shkurtit. Masat përfshijnë kufizime për naftën dhe gazin rus, mallrat dhe shërbimet financiare.