Vendosni fjalën kyçe....

SHBA dhe Britania zgjerojnë sanksionet ndaj kompanive ruse


Shtetet e Bashkuara dhe Britania më 2 gusht kanë zgjeruar sanksionet ndaj individëve dhe kompanive ruse për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Qeveria britanike tha se ka rivendosur sanksione ndaj dy ish-anëtarëve të bordit të kompanisë së naftës Rosneft, Didier Casimiro dhe Zhelko Runje. Ndërkaq, Qeveria amerikane tha se ka futur në listën e sanksioneve 25 avionë Airbus, nën pretendimet se kanë shkelur rregullat e kontrollit të eksporteve.

Britania tha se Casimiros dhe Runjes do t’iu ngrihen asetet dhe do të ketë ndalesë të udhëtimit. Britania tha se të dy “kanë përfituar ose kanë mbështetur Qeverinë e Rusisë, duke punuar si menaxherë të një entiteti qeveritar të lidhur me Rusinë”.

Këta dy individë ishin përfshirë në listën e sanksioneve të vendosura në mars, por u hoqën nga sanksionet në korrik për arsye ende të panjohura.

SHBA-ja e kishte sanksionuar Casimiron në shkurt të vitit 2020. Atëbotë, Departamenti i Thesarit deklaroi se ai ishte kryetar i bordit të drejtorëve dhe president i Rosneft Trading, degë e gjigantit shtetëror të naftës ruse, Rosneft Oil Company. SHBA-ja e kishte akuzuar atë për ndërmjetësim të shitjes dhe transportit të naftës së papërpunuar të Venezuelës.

Ndërkaq, më 2 gusht, Departamenti amerikan i Tregtisë tha se 25 avionë Airbus që operohen nga kompani ruse, kanë shkelur rregullat e kontrollit të eksporteve të SHBA-së dhe u futën në listën e sanksioneve.

Të 25 avionët e sanksionuar operohen nga kompanitë Ural Airlines, S7 Airlines, Red Wings, Yamal Airlines, Nordwind dhe I-Fly. Sanksionet e SHBA-së synon që t’ua ndalojnë qasjen këtyre avionëve në furnizim me karburant dhe shërbime të tjera të mirëmbajtjes.

SHBA-ja ka paralajmëruar këto kompani dhe entitetet e tjera në mbarë botën kundër shkeljes së rregullave amerikane.