Vendosni fjalën kyçe....

Skafi përplas për vdekje fëmijën 7 vjeç në plazhin e Himarës para syve të prindërve


Një ngjarje e rënë ka ndodhur sot në Himarë, ku një skaf ka goditur për vdekje një fëmijë të moshës 7 vjeçare.

Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00 në plazhin e Potamit, ku shtetasi me inicialet A. T., ka humbur kontrollin e mjetit lundrues duke goditur një fëmijë, të cilit plagët e rënda i morën jetën në vend. Autori i dyshuar është arrestuar dhe ndodhet në komisariatin e Himarës.

“Sot, rreth orës 14:00, në plazhin e Potamit, shtetasi A. T., duke drejtuar një mjet lundrues tip skaf, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit lundrues dhe për pasojë mjeti lundrues ka goditur një fëmijë rreth 5 vjeç, i cili për shkak të dëmtimeve ka ndërruar jetë në vendngjarje.

Drejtuesi i mjetit lundrues është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Himarë dhe po kryhen procedurat për arrestimin e tij.”– bën me dije Policia. Në njoftim thuhet se fëmija është rreth moshës 5-vjeare, por më pas u konfirmua se ishte 7.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Fëmija mësohet se ka qenë në bregun e detit përpara prindërve të tij. Ky është rasti i tretë brenda një muaji që skafet në plazhet e Shqipërisë aksidentojnë pushuesit.