Ngjarja e sotme në plazhin e Potamit, ku humbi jetën një e mitur, tronditi opinioni publik.
Të tronditur u shprehën edhe disa nga ministrat socialistë.
Ngjarja e cila u shkaktua nga një motor uji që drejtohej nga shefi i policimit në komunitet në Komisariatin e Elbasanit shkaktoi reagim të madh nga politika e opinioni publik.
Ndërkohë puna e policisë u vu në pikëpyetje pasi nuk kishte marrë masa për ndalimin e motorëve në zonën ku kryhej plazh, kjo edhe për shkak se në të u përfshi një zyrtar policie.
Por duket se socialistët që reaguan harrojnë se qeverisin vetë dhe kanë në dorë të shikojnë nëse zbatohen rregullat apo jo.
Duke filluar nga Kryeministri Rama te Kryetarja e Kuvendit dhe Ministrat Manja e Spiropali kërkuan ndëshkim për fajtorin.
Duket se ata kërkojnë llogari nga Policia e Shtetit që të marrë masa për sigurinë në plazhe dhe nuk përfshijnë struktura të tjera të cilat mund të kenë përgjegjësi të drejtpërdrejtë apo të tërthorëta për ngjarjen.
Ndërkohë që Rama, Nikolla e Spiropali kërkojnë nga policia e shtetit të marrë masa për sigurinë, Ministri i Brendshëm nuk ka reaguar asnjë moment për këtë ngjarje.
Reagimi i Kryeministrit Rama
Tragjedia e familjes së të miturës në Himarë është rrëqethëse dhe s’ka fjalë ngushëlluese për dhimbjen. Uroj që fajtori të marrë ndëshkimin më ekstrem nga drejtësia dhe drejtuesit e Policisë së Shtetit të nxjerrin mësimet e duhura e t’u japin mësimin e duhur trupave përgjegjëse!
Nuk mungoi as në këtë rast kafshëria politiko-mediatike e atyre që urojnë e presin veç fatkeqësi, për të ushqyer zjarrin e luftës së tyre politike të paudhë dhe të pashpresë!
Reagimi i Kryetares së Kuvendit
Ndaj dhimbjen e thellë me prindërit dhe familjarët e vajzës së vogël, engjëllit që humbi jetën në mënyrë tragjike në Himarë!
Policia e Shtetit të nxjerrë mësime për sigurinë dhe mbrojtjen e jetës së pushuesve në plazhe, por edhe për aspekte të profesionalizmit dhe standardeve të sjelljes së trupave policore!
Ngjarje të tilla të dhimbshme nuk duhet të përsëriten më!
Fajtori të marrë dënimin e merituar!
Reagimi i Elisa Spiropalit
Ngjarja tragjike e Potamit na ka tronditur dhe lënduar të gjithëve.
Një vajzë shtatë vjeçare humbi jetën e përplasur barbarisht nga një gomone.
Nesër ajo mund të ishte muzikante, shkrimtare, politikane, mjeke, apo edhe thjesht bijë e një nëne dhe prind fëmijësh.
E vrau papërgjegjshmëria. E vrau dalldia. Ia preu në mes jetën krimi i dikujt që moskontrolli i vetes e shndërroi nga polic, në vrasës.
Nxis një hetim të shpejtë dhe të drejtë.
Hetim që jo thjesht të dënojë shkaktarin e një krimi kaq makabër, por edhe të dëshmojë se vepra të tilla kriminale do të dënohen me rreptësinë më maksimale të ligjit.
Të gjitha institucionet e sigurisë duhet të ngrihen në këmbë që kjo ngjarje e rëndë të mos përsëritet kurrë dhe askund në bregdetin tonë.
Lutem për shpirtin e Saj të pafajshëm.
Ngushëllime familjes, edhe pse si nënë e dy fëmijëve të mitur e di se sot prindërit e vajzës janë të pangushëllueshëm.
Dhimbja e tyre qoftë një klithmë për të gjithë ne që tragjedi të tilla të mos ndodhin kurrë më.
Reagimi i Ministrit të Drejtësisë
Nuk ka fjalë për të ngushëlluar prindërit e fëmijës që nuk e humbi, por ia morën jetën dhunshëm në detin e Himarës!
Është në nderin e drejtësisë së re të veprojë menjëherë për të qetësuar sadopak shpirtrat e trazuar të çdo prindi.
Drejtësi pa vonesë-Gjykim të drejtpërdrejtë dhe shembullor!