Vendosni fjalën kyçe....

1.4 miliardë lekë inceneratorëve, PD 5 pyetje SPAK-ut e Ballukut: Megaafera e shekullit, Rama ndau lekët me Ahmetajn, Agaçin, Veliajn, Zoton, Gugalljan e Mërtirin


Partia Demokratike ka denoncuar kryeministrin Rama e ministren e Energjisë Balluku lidhur me pagesën 1.4 miliard lekë në llogaritë e kompanive koncesionare të inceneratorëve të Klodian Zotos e Stela Gugalljas.

Në një deklaratë për mediat nga selia blu, deputeti Këlliçi tha se kontratat koncesionare janë firmosur në shkelje të hapur të ligjit dhe se përfituesit kryesor i tyre është kryeministri Rama.

“Dyshja Rama-Balluku reagoi dje fill pasi opozita denoncoi derdhjen në llogaritë e të kërkuarve ndërkombëtarë Klodian Zoto e Stela Gugallja të 1.4 miliard lekëve. Reagimi nuk u bë aspak për transparencë po për të hedhur gënjeshtrën e radhës mbi rrenat e marinuara shumë gjatë. Ata e pranuan se u janë dërguar 1.4 miliardë lekë brenda ditës po se nuk ishin ata po agjencia që kishte marrë në administrim djegësat e cila i kërkoi Ministrisë së Energjitikës për të bërë pagesën. Sipas Ballukut, kontrata parashikon se në çdo kohë gjatë afatit të kësaj kontrate autoriteti kontraktor është i detyruar të garantojë mbështetjen financiare sipas kontratës dhe të mos i ndërpresë ato përveçse në rastet e parashikuara nga ligji si braktisja dhe zgjidhja e kontratës të koncesionit. I themi sot Edi Ramës e Belinda Ballukut se Kodi Penal nuk njeh asnjë kusht për konfiskimin e veprës së krimit por kjo ndodh me kontratën të cilën e harton dyshja Rama-Balluku për kompaninë e tyre me të cilën ndajnë paratë. Kjo ndodh me kontratën e Edi Ramës e Klodian Zotos të firmosur të firmosur në kundërshtim me ligjin dhe opinionin me shkrim të Agjencisë së Prokurimeve Publike me procedurë të mbyllur.” – tha Këlliçi.

Më tej deputeti demokrat bëri pesë pyetje lidhur me koncesionarët e inceneratorëve duke theksuar mosveprimin e SPAK dhe të Ministrisë së Energjisë duke u bërë thirrje të sekuestrojë inceneratorët e të ndërpresin mbështetjen financiare për to.

Në fund Këlliçi tha se drejtësia e kapur nga Edi Rama e ka të vështirë të përmbushë detyrimin e saj përballë ligjit në atë që e quajti megaeafera e shekullit ku janë kapur duke ndarë paratë Rama, Agaçi, Ahmetaj, Veliaj, Zoto, Gugallja e Mërtiri.

“Sot kemi 5 pyetje të thjeshta.

Përse SPAK nuk sekuestron produktin e veprimtarisë kriminale?

Përse Ministria e Energjitikës nuk vepron me zgjidhjen e kontratës për mospërmbushje detyrimi sepse tashmë të gjithë shqiptarët e dinë se inceneratori nuk funksionon dhe në kontratë duhet të ishte në punë që prej dy vitesh.

Kush e hartoi kontratën me detyrim të pagesave të kësteve pavarësisht fillimit apo vazhdimit të punimeve.

Meqë Ministria e Energjitikës qenka e detyruar nga kontrata që të vazhdojë me mbështetjen financiare, pse në bazë të kontratës nuk e konsideron kërkimin ndërkombëtar për dyshen Klodian Zoto-Stela Gugallja si braktisje nga kontraktori.

Pse nuk e zgjidh kontratën me kontraktorin ministria, për mospërmbushje të kushteve thelbësore dhe mbivendosjen e veprave penale në këtë procedurë dhe kontratë.

“Këto janë pyetje të thjeshta për çdo shqiptar po shumë, shumë të vështira për drejtësinë e kapur nga Edi Rama. Inceneratorët jane megaafera e shekullit ku Edi Rama është kapur duke ndarë paratë me Engjëll Agaçin, Arben Ahmetajn, Erion Veliajn, Klodian Zoton, Stela Gugalljan e Mirel Mërtirin e ndaj nuk pranon që të ndalohen pagesat dhe as që drejtësia të sekuestrojë produktet krimit. Po ju të dashur shqiptarë çfarë mendimi keni.” – mbylli Këlliçi.