Ditën e djeshme e mitura Joanda Avdia humbi jetën në plazhin e Potamit, Himarë, pasi u godit nga një skaf që drejtohej nga Komisari i Policisë Arjan Tase.
Ngjarja e rëndë solli reagime të shumta në rrjetet sociale me qytetarë e politikanë që e dënuan atë dhe kërkuan dorëheqjet e kryeministrit Rama, ministrit të Brendshëm Çuci, ministres së Mjedisit Kumbaro e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Nano, duke i bërë përgjegjës për atë që ndodhi.
Duhet thënë se vrasja e së miturës që kishte ardhur me pushime në Shqipëri ishte ngjarja e tretë e rëndë dy javët e fundit me mjetet detare duke qenë se më herët një çift bashkëshortësh e një turist i huaj u lënduan nga mjetet detare.
Megjithatë vetëm një javë më parë, ministri i Brendshëm Çuci, organizoi një takim me drejtuesit e policisë përgjatë zonave bregdetare.
Në një shënim në Facebook, ai shkruan se nuk do ketë asnjë tolerim për subjektet që nuk respektojnë orarin e lejuar të muzikës gjatë natës e po kështu për ata që rrezikojnë pushuesit me motora uji.
Tre aksidente në dy javë kanë ndodhur në plazhet e vendit ndërkohë që videot e skafeve e motorëve të ujit në bregdet janë të panumërta në rrjetet sociale.
“Me drejtuesit e Policisë së Shtetit përgjatë zonave të bregdetit ndava sot disa shqetësime që lidhen me sezonin turistik. Asnjë tolerancë për subjektet që nuk respektojnë orarin e lejuar të muzikës gjatë natës, asnjë tolerancë për këdo që rrezikon pushuesit me motora uji duke thyer në mënyrë flagrante kordonët e sigurisë. Do të përgjigjet personalisht çdo drejtues e punonjës policie që mbyll sytë para paligjshmërisë ose që aplikon standarde të dyfishta.” – shkruante Çuçi në Facebook.