Vendosni fjalën kyçe....

Institucionet që duhet të kishin dhënë llogari pas ngjarjes së Himarës por ende nuk ndihen


Të shumta kanë qenë reagimet mbi ngjarjen e rëndë që i preu jetën në mes një vogëlusheje 7-vjeçare dje në Himarë, ndërsa ajo po pushonte në bregdet me prindërit.

Por institucionet kryesore që duhej të kishin reaguar lidhur me këtë ngjarje deri më tani kanë zgjedhur të heshtin.

Ndërkohë që puna e policisë u vu në pikëpyetje pasi nuk kishte marrë masa për ndalimin e motorëve në zonën ku kryhej plazh, mbi të gjitha se u përfshi një zyrtar policie, përveç Policisë, janë edhe disa institucione të tjera që kanë në dorë të shikojnë nëse zbatohen rregullat apo jo dhe mund të kenë përgjegjësi të drejtpërdrejta apo të tërthorta për ngjarjen.

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi

Përveç Policisë së Shtetit, një reagim duhet të kishte edhe nga Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi. Por jo, asgjë.

Dhe duhet të kujtojmë se vetëm një javë më parë, ministri i Brendshëm, organizoi një takim me drejtuesit e policisë përgjatë zonave bregdetare.

Ai paralajmëronte se nuk do kishte asnjë tolerim për subjektet që nuk respektojnë orarin e lejuar të muzikës gjatë natës e po kështu për ata që rrezikojnë pushuesit me motora uji. Por edhe pse kjo e fundit i mori jetën një vogëlusheje, Çuçi nuk është ndier askund.

Bashkia Himarë, kryebashkiaku Jorgo Goro

Para pushtetit qendror, duket se shumë harrojnë pushtetin lokal. Kryebashkiaku i Himarës, ku ndodhi dhe ngjarja, jo vetëm duhej të kishte reaguar por duhet të kishte dhënë llogari një më një mbi ngjarjen.

Ai duhet të bënte publike sa korridore lundrimi kanë lejuar. Dhe a kishte korridor lundrimi për skafin që drejtohej nga polici Arjan Tase që i mori jetën një fëmije.

Por përsëri edhe pse ngjarja ndodhi në bashkinë e drejtuar prej tij, as Goro nuk është ndier.

Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro

Shoqëria civile ka paralajmëruar një protestë lidhur me ngjarjen e rëndë, dhe kanë kërkuar pikërisht dorëheqjen e ministrave Bledi Çuçi e Mirela Kumbaro.

Si ministre e Turizmit, Kumbaro duhet të përgjigjet për një sërë çështjesh, duke nisur kontrolli i mjeteve lundruese argëtuese në zonat e plazhistëve, dhe jo të shqetësohet vetëm për letrat e kanaçet e hedhura jashtë koshave (sigurisht problem serioz), por në dritën e kësaj ngjarjeje që mori jetën e një fëmije, merr përparësi kjo e fundit.

Ministrja Bora Muzhaqi

“E dini kush jam unë? Unë jam ministrja e kalamajve, e kam emrin Bora.”– u drejtohej një grupi fëmijësh ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi pak javë më parë. Por si ministre nuk ka për detyrë vetëm të lozë e argëtohet me fëmijët, por gjithashtu të kujdeset për sigurinë e tyre.

Një nga detyrat e caktuara me VKM, është që “Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, harton, zhvillon dhe monitoron politikat për: a) mbrojtjen e fëmijës, nëpërmjet plotësimit të kuadrit ligjor e institucional, në zbatim të Kushtetutës, të Konventës së Kombeve të Bashkuara mbi të Drejtat e Fëmijës, të akteve ndërkombëtare që veprojnë në këtë fushë, si dhe të legjislacionit në fuqi.”.

Dhe Muzhaqi siç ka ndodhur edhe më parë në raste të rënda që kanë prekur fëmijët, në vend të përgjigjet, thjesht zhduket.

Shoqëria mbase pret që dhe Presidenti i Republikës të reagojë në mbrojtje të jetës së njerëzve dhe të drejtave kushtetuese të tyre si garant i Kushtetutës, duke u kërkuar institucioneve e qeverisë të jenë të përgjegjshme./Hashtag.al