Kryeministri i Mali të Zi, Dritan Abazoviç, konfirmoi të mërkurën në rrjetin social Telegram se është nënshkruar Marrëveshja Themelore ndërmjet Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe. Marrëveshja parasheh rregullimin e marrëdhënieve në mes të Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe me bazë në Beograd.
Pa paralajmërim paraprak dhe pa praninë e gazetarëve, mëngjesin e së mërkurës në Podgoricë ka mbërritur patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije Periq.
Vila Shtetërore “Gorica”, ku u nënshkrua Marrëveshja Themelore, ishte vënë nën masa të rrepta sigurie nga policia.
Qeveria e Malit të Zi nuk e ka publikuar zyrtarisht datën e nënshkrimit të Marrëveshjes Themelore, ndërsa kryeministri Dritan Abazoviç ka mohuar informacionet jozyrtare se nënshkrimi është caktuar për 3 gusht.
Pas nënshkrimit, kryeministri Abazoviç tha se një çështjeje të rëndësishme i është vënë pikë.
“Është nder dhe kënaqësi që më është dhënë mundësia e pazakontë për të nënshkruar Marrëveshjen Themelore me Kishën Ortodokse Serbe dhe për ta mbyllur këtë çështje në një mënyrë shumë të bukur, të përshtatshme dhe dinjitoze”, deklaroi Abazoviç.
Pas nënshkrimit të Marrëveshjes Themelore e para reagoi Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e Milo Gjukanoviçit, e cila njoftoi se sot do të ndërmarrë nismën për mosbesimin ndaj Qeverisë së Dritan Abazoviqit.
“Marrëveshja e nënshkruar sot, e cila është në kundërshtim me Kushtetutën e Malit të Zi, do të pezullohet menjëherë pas zgjedhjes së Qeverisë së re“, thuhet në njoftimin e DPS-së.
DPS-ja e Gjukanoviqit, si partia më e madhe në Parlament, deri më tani e ka mbështetur Qeverinë pakicë të Dritan Abazoviçit. Ajo, gjithashtu, i kishte dhënë mbështetjen e nevojshme në Kuvend për funksionimin e saj.
Kurse partia pro-serbe dhe pro-ruse, Fronti Demokratik, tha se nënshkrimi i marrëveshjes është produkt i luftës së tyre të vazhdueshme politike për të drejtat e serbëve dhe Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi.
Kjo parti tha se ia ka bërë të qartë Abazoviçit se marrëveshja me Kishën është çështja më e rëndësishme.
“Ne e bëmë këtë pa kompromis, gjë që përfundimisht rezultoi në aktin e sotëm të nënshkrimit”, tha Fronti Demokratik.