Vendosni fjalën kyçe....

Meta thirrje gazetarëve: Ngrini zërin ndaj arrogancës dhe papërgjegjshmërisë që po varfëron dhe po vret shqiptarët



Ish-presidenti i vendit dhe kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta u bën thirrje gazetarëve të ngrenë zërin ndaj arrogancës dhe papërgjegjshmërisë.

Ai ka shpërndarë në “Facebook” një shkrim të gazetares Beti Njuma e cila kritikon kryeministrin Edi Rama, pasi ai iu kahërrye medieve për ngjarjen në Himarë, ku humbi jetën një 7-vjeçare pasi u përplas me skaf nga polici Arjan Tase.

“Të gjithë gazetarët e pavarur të ngrenë me forcë zërin dhe të reagojnë ndaj arrogancës dhe papërgjegjshmërisë që po varfëron dhe po i vret shqiptarët!

Kjo analizë e gazetares, Beti Njuma, një zë i fortë, i pavarur dhe autoritar në media, është edhe një ftesë për kolegët e saj për t’i thënë troç të vërtetat që i shohim, i prekim dhe i ndjejmë çdo ditë!

Për Lirinë dhe Pavarësinë e medias të gjithë jemi bashkë në aleancë kundër këtij regjimi.”- shkruan Meta.

Gazetarja i kërkon kryeministrit që t’ua kursejë shqiptarëve “këtë akt të padurueshëm” siç e quan ajo të shfaqjeve hipokrite “për të bërë shtet” edhe atëherë kur shtetin sipas saj e rrëzuar “vdekja e një engjëlli”.

Komenti i Njumës erdhi pasi Rama reagoi përmes disa postimeve duke e quajtur sezonin turistik të këtij viti më të rregulltin e më të pastrin ndonjëherë ndërsa deri dje edhe më të qetin e të sigurtin.

Ai sulmoi rivalët politikë duke thënë se tragjedia e djeshme në Himarë dhe përdorimin e saj prej tyre tregon shëmtinë e pacipë të shpirtit të tyre.

Kreu i qeverisë sulmoi dhe gazetarët duke i quajtur “vampirë politikë e mediatikë” që sipas tij s’lënë plagë pa futur gojën e tyre të përdalë në kërkim të përfitimit mizërabël në shkelje të kodeve familjare, morale e kombëtare.

Rama shkruante se shtimi i turizmit e bashkë me të edhe ai i numrit të mjeteve lundruese është sfidë e vazhdueshme ndërsa në fund bën thirrje për dënim ekstrem ndaj fajtorit të tragjedisë.

SHKRIMI I BETI NJUMËS

Shteti ynë ka shumë fytyra, por këto më poshtë janë dy më të ndyrat që na shfaqen rëndom çdo ditë.

Njëra është e policisë, e përdorur nga krimi, nga politika për blerje votash e nga çdo maskara me para, që blen drejtësinë. Është po ajo polici arrogante me të dobëtit, me qytetarët e thjeshtë, me banorët që kanë parkuar keq poshtë pallatit, me shoferët e makinave të lodhura, furgonëve apo papaqëve, pra e njerëzve pa pushtet që kjo polici ua tregon ligjin me kërbaç.

Ka dhe një fytyrë tjetër, ajo e kryeministrit që me kafshërinë komunikuese që e karakterizon u ndërsehet shqiptarëve të ndershëm të mbyllin gojën sa herë kërkojnë shtet ligjor.

Ti KM që s’lë rast pa përdorur për të bërë politikë, dje duhej të heshtje dhe të respektoje dhimbjen për jetën e një vogëlusheje.

Maksimumi që mund të bëje, ishte t’u kërkoje falje shqiptarëve për shtetin që ke ndërtuar në 10 vite. Shteti ku sa më shumë trashet zullumi atje lart, aq më shumë i shtrëngohet laku qytetarit poshtë.

Unë e di që sot KM do mbledhësh kabinetin, do u ngresh zërin grave të qeverisë, atyre që mbledhin qeset e plehrave për shou, por prej 24 orësh s’kanë shprehur asnjë fjalë ngushëlluese për tragjedinë.

Por sot është vonë. Na e kurse këtë akt të padurueshëm të shfaqjeve të tua hipokrite “për të bërë shtet” edhe atëherë kur shtetin ta ka rrëzuar vdekja e një engjëlli!