Vendosni fjalën kyçe....

Ndahet nga jeta skulptori i njohur shqiptar, Thanas Papa


Ndahet nga jeta në moshën 91-vjeçare, skulptori i njohur Thanas Papa.

Papa ishte i diplomuar në vitin 1957 me Medalje Ari në Institutin “Rjepin” të Akademisë së Arteve të Bukura të Leningradit.

Pas studimeve, në nëntor të vitit 1957, ai filloi punë në Universitetin e Tiranës, pranë sektorit të Arkeologjisë dhe Artit të Mesjetës, ku punoi deri në mars të vitit 1960.  Gjatë asaj kohe kreu studime zbulimore në kështjellat e Rozafatit, Gjirokastrës, Beratit dhe Krujës.

Në mars 1960, filloi punë si pedagog në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë. Aty ka dhënë lëndën e vizatimit artistik, teknologjinë e gdhendjes së gurit dhe mermerit.

Ai ka qenë fitues i shumë çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare.

Kujtojmë se Thanas Papa ka qenë i persekutuar nga regjimi komunist, për shkak të gruas ruse, me të cilën u detyrua të divorcohet në vitin 1961 dhe ajo u rikthye në Moskë.

Ai e kujton këtë si dramën e dhimbshme të jetës së tij.

“Ishte një dramë e dhimbshme që sigurisht ndikoi në jetën time…” –ka treguar Papa para disa vitesh në një intervistë.

“Shqipëria prishi marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik dhe shumë çifte u ndanë. Ishin vite të vështira. Lot, ndarje, ankth… Askush nuk e mendonte se bashkë me prishjen e familjeve do të fillonte dhe gjuetia e shtrigave, të gjithë ata intelektualë që ishin martuar me ruse, ose do të internoheshin ose kurrë nuk do të punonin në profesionet e tyre. Kështu na ndodhi dhe ne, mua, gruas Valentina dhe vajzës Tatjana.”– tregonte Papa.

Ai u martua përsëri dhe nga martesa e dytë u bë me një djalë dhe me një vajzë tjetër.