Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi është larguar nga Tajvani pas një vizite të shkurtër por të diskutueshme.
Zonja Pelosi e cila është politikania më e lartë amerikane që ka vizituar Tajvanin në 25 vjet – u largua të mërkurën pas takimit me liderët në kryeqytetin Taipei.
Por vizita e saj, që ishte pjesë e një turneu më të gjerë aziatik, shkaktoi zemërim në Pekin pasi ajo injoroi paralajmërimet për të mos udhëtuar në ishull.
Tajvani është i vetëqeverisur, por Kina e sheh atë si një provincë të shkëputur që përfundimisht do të bashkohet me të.
Në një deklaratë të publikuar të mërkurën, ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi tha se “ata që luajnë me zjarrin nuk do të kenë një fund të mirë dhe ata që ofendojnë Kinën do të ndëshkohen”.
Ai shtoi se “Shtetet e Bashkuara po shkelin sovranitetin e Kinës nën maskën e të ashtuquajturës demokraci.”
SHBA nga njëra anë i përmbahet politikës “Një Kinë“, e cila njeh vetëm një qeveri kineze, duke i dhënë asaj lidhje formale me Pekinin dhe jo me Tajvanin.
Por gjithashtu mban një marrëdhënie “të fortë jozyrtare” me ishullin, ku përfshihet shitja e armëve për Tajvanin për t’u mbrojtur.
Si kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, zonja Pelosi është e dyta në radhë për presidencën amerikane, pas Zëvendës Presidentes Kamala Harris.
Në përgjigje të udhëtimit, Kina njoftoi ato që i quajti stërvitje ushtarake “të nevojshme dhe të drejta” në dete rreth 10 milje (apo 16 kilometra) larg nga Tajvani.