Vendosni fjalën kyçe....

Tajvani akuzon Pekinin për bllokadë ajrore dhe detare


Zyrtarët e mbrojtjes së Tajvanit kanë akuzuar Pekinin se po kërkon të ‘pushtojë’ ujërat territoriale dhe hapësirën ajrore të ishullit, pasi Kina njoftoi një seri ‘operacionesh ushtarake’ në përgjigje të vizitës së kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA Nancy Pelosi në Taipei.

Zyrtarët ushtarakë në Taipei pohuan të mërkurën se disa zona rreth ishullit, ku Kina synon të kryejë stërvitje me zjarr të vërtetë dhe stërvitje të tjera ushtarake më vonë këtë javë, mbivendosen me ‘hapësirën territoriale të Tajvanit’.

Sipas Guardian, Taipei akuzoi Pekinin për shkeljen e ‘rregullave të OKB-së’ me atë që pretendonte se do përbënte një ‘bllokim de facto të hapësirës ajrore dhe detare të Tajvanit’.

Duke akuzuar Pekinin se po zhvillon ‘luftë psikologjike kundër Tajvanit dhe qytetarëve’, Taipei u zotua ‘të mbrojë me vendosmëri sigurinë e tij kombëtare’ dhe të rrisë gatishmërinë e tij ushtarake në nivelin më të lartë, duke iu përmbajtur ‘parimit për të mos kërkuar luftë’.

Pelosi mbërriti në Taipei të martën vonë, pavarësisht paralajmërimeve të përsëritura nga Pekini kundër përpjekjes për të vizituar territorin që e konsideron si pjesë përbërëse të Kinës.

“Ushtria Çlirimtare Popullore Kineze është në gatishmëri të lartë dhe do nisë një sërë operacionesh ushtarake të synuara për të kundërshtuar këtë, për të mbrojtur me vendosmëri sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial dhe për të penguar me vendosmëri ndërhyrjen e jashtme dhe përpjekjet separatiste të ‘pavarësisë së Tajvanit’.” – tha zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes Wu Qian.