Vendosni fjalën kyçe....

Tragjedia në Himarë, Rama sulmon Berishën e Metën: Çetat e udhëhequra nga non gratat e ata me identitete të dyfishta, vampirë politikë e mediatikë…


Kryeministri Rama e ka quajtur sezonin turistik të këtij viti më të rregulltin e më të pastrin ndonjëherë ndërsa deri dje edhe më të qetin e të sigurtin.

Në disa postime në Twitter ai ka sulmuar kreun e PD-së Berisha e atë të Partisë së Lirisë Meta duke thënë se tragjedia e djeshme në Himarë dhe përdorimin e saj prej tyre tregon shëmtinë e pacipë të shpirtit të tyre.

Kreu i qeverisë ka sulmuar edhe ato që i quan vampirë politikë e mediatikë që sipas tij s’lënë plagë pa futur gojën e tyre të përdalë në kërkim të përfitimit mizërabël në shkelje të kodeve familjare, morale e kombëtare.

Rama shkruan se shtimi i turizmit e bashkë me të edhe ai i numrit të mjeteve lundruese është sfidë e vazhdueshme ndërsa në fund bën thirrje për dënim ekstrem ndaj fajtorit të tragjedisë.

“Ky është sezoni më i organizuar, më i rregullt e më i pastër turistik ndonjëherë falë punës së palodhur që kemi nisur qysh shtatorin e shkuar!Ishte deri dje edhe sezoni më i qetë e më i sigurtë,me plazhet publike dhe rrjetin e vrojtuesve të plazhit organizuar si asnjëherë tjetër!

Tragjedia e djeshme ka tronditur të madh e të vogël dhe ka krijuar një ndjenjë të rëndë shqetësimi, ndërkohë që Policia e Shtetit po merr të gjitha masat për të reaguar shumë më fort ndaj sfidës së garantimit të rendit ligjor jo vetëm në qarkullimin rrugor, po edhe atë ujor.

Vizioni i Shqipërisë turistike dhe ambicia që kjo të jetë dekada e kthimit të vendit tonë në kampionin rajonal të turizmit, lidhet edhe me rritjen e lartë të mjeteve lundruese dhe sfidën e disiplinimit të tyre, që nuk është një fjalë goje në një vend ku deri dje ato s’ekzistonin!

Shkarkimi i gjithë trupës së drejtorisë së kufirit Vlorë dhe vendosja e një fokusi të shtuar mbi qarkullimin ujor,janë hapat e duhur që do të pasohen nga hapa të tjerë,në kushtet kur rritja e përvitshme e numrit të mjeteve lundruese përbën një sfidë të vazhdueshme për të gjithë!

Madhësia e tragjedisë së djeshme në Himarë e bën edhe më të madhe se çdo herë tjetër,ligësinë e verbër të vampirëve politikë e mediatikë që s’lenë plagë pa futur gojën e tyre të përdalë, duke kërkuar përfitimet e tyre mizerabël në shkelje të çdo kodi moral, familjar, kombëtar!

Sa për çetat e udhëhequra nga nongratat dhe nga ata me identitet të dyfishtë që kërkojnë ta kthejnë  këtë vdekje tragjike në motiv lufte politike, kjo s’është as e para as e fundit herë kur një fatkeqësi që trondit shoqërinë, ekspozon shëmtinë e pacipë të shpirtit të tyre! Uroj edhe njëherë që drejtësia t’i japë ndëshkimin më ekstrem fajtorit për këtë tragjedi!”