Kur vetëm dy ditë kanë kaluar nga ngjarja e rëndë e Himarës, në rrjet kanë nxituar të publikohen video të manovrave me “Jet Ski” ku thuhet se u rrezikohet jeta pushuese dhe paraqiten si të ditëve të fundit.
Mirëpo duket se pamjet që po qarkullojnë janë të vjetra, por po risillen duke luajtur me ndjeshmërinë e lartë të publikut, të prekur nga vdekja e vogëlushes 7-vjeçare në plazhin e Potamit në Himarë.
Rasti 1:
Portalet kanë publikuar një video të dërguar nga një qytetar, ku shihet se si një person kryen një manovër me “Jet Ski” për të bërë show dhe për pak i merr jetën një pushuesi. Ngjarja ka ndodhur në Shëngjin.
Mirëpo, kjo ngjarje nuk është aspak e ditëve të fundit. Përkundrazi është e dy viteve më parë. Dhe për ta kuptuar se sa e vjetër është videoja, mjafton të bëni krahasim të pamjeve në video me këtë foto të realizuar së fundmi nga i njëjti vend, ku është ngritur një ndërtesë.
Në video, e cila ka dy vjet e xhiruar ndërtesa nuk duket gjëkundi sepse nuk kishte nisur akoma ndërtimi i saj.
Rasti 2:
Në një tjetër video që ka qarkulluar në rrjet, një polic shfaqet duke bërë manovra brenda bovave kufizuese, pak metra larg bregut, me një Jet-Ski me logo të Policisë së Shtetit, ndërkohë që filmohet nga një koleg i tij.
Por ajo që paraqitet në portale si një moment argëtimi dhe shkelje e rregullave nga policët me uniformë, në të vërtetë bëhet fjalë për një donacion “jet ski” që Policia ka marrë, po teston dhe po e filmon vetë për ta dokumentuar.