Vendosni fjalën kyçe....

Kurti e Vuçiç do takohen më 18 gusht në Bruksel


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, kanë pranuar ftesën e Bashkimit Evropian që më 18 gusht të zhvillojnë rundin e ri të bisedimeve, konfirmoi për mediat zëdhënësi i bllokut, Peter Stano.

“Mund të konfirmoj se pasi përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell, ftoi të dy palët në Bruksel, kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiç kanë pranuar ftesën e tij. Ata do të mirëpriten në Bruksel më 18 gusht nga Borrell dhe përfaqësuesi i posaçëm i BE-së, Mirosllav Lajçak, për të diskutuar për rrugën përpara në dialogun Prishtinë-Beograd”, tha Stano.

Ftesa erdhi në kohën e rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, pasi serbët atje vendosën barrikada për të kundërshtuar dy vendime të Qeverisë së Kosovës që kishin të bënin me dokumentet dhe targat serbe.

Barrikadat u hoqën pasditen e 1 gushtit dhe Qeveria e Kosovës u zotua se do të shtyjë për një muaj zbatimin e këtyre dy vendimeve.