Vendosni fjalën kyçe....

Meta pas vizitës në familjen Avdia: Tragjedi e jashtëzakonshme, gjithë ministrat përgjegjës dhe kryebashkiaku i Himarës duhej të ishin dorëhequr ose shkarkuar


Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka shkuar sot për ngushëllim në familjen Avdia, që humbi tragjikisht vajzën 7-vjeçare, pasi u godit nga një skaf i drejtuar nga ish-polici Arjan Tase.

Meta u shpreh se kjo ishte një vizitë e vështirë, pasi ky sipas tij është një rast i pangushëllueshëm ndërsa kritikon gjithë zinxhirin e institucioneve që janë përgjegjëse për zbatimin e sigurisë në plazhe.

“Ishte një vizitë shumë e vështirë për arsye sepse është një rast i pangushëllueshëm, një tragjedi e jashtëzakonshme, tepër tronditëse për çdo familje shqiptare, për çdo prind, babë, nënë…

Aq më tepër për familjen Avdia, për babanë që e përjetoi këtë tmerr aq pranë, për vëllanë e vogël, për të gjithë, për gjyshin, i cili mezi e kishte pritur mbesën që ajo t’i tregonte se e kishte përmirësuar gjuhën shqipe e jo vetëm kaq por edhe ti bënte shqipon jën. Për të tërë. Është një rast i pangushëllueshëm pavarësisht se jam i impresionuar nga forca, karakteri i kësaj familjeje jashtëzakonisht fisnike shqiptare. Për arsye se është një tragjedi që nuk ka as një lloj justifikimi nga askush. Jo vetëm nga autori, por edhe nga shteti, qeveria, bashkia, pasi ekziston një legjislacion për sigurinë në plazh i cili nuk është respektuar në asnjë element të tij.

Dhe është një vrasje e paralajmëruar pasi knë ndodhur raste të tilla edhe më parë, ashtu sikurse ka ndodhur edhe para pak kohësh plagosje që për fat të mirë nuk ka përfunduar me vdekje dhe askush nuk e ka vënë ujin në zjarr. Papërgjegjshmëri totale. Dhe më e rënda, në një moment kur duhet të shfaqet pendesa, reflektimi, por edhe marrja e vendimeve të qarta, distancuese e të gjithë ministrave përgjegjës dhe bashkisë përkatëse, në të njëjtin moment na shpallet se Shqipëria qenka sivjet e para në rajon përsa i përket sigurisë në plazhe dhe turismit. Nuk ka tallje dhe fyerje më të madhe për gjithë popullin shqiptar, që e ka përjetuar këtë tragjedi të familjes Avdi si një tragjedi të veten.”– tha Meta.

Ai konfirmoi pjesëmarrjen e tij në protestën që mbahet sot në orën 19:00, si dhe u bëri thirrje qytetarëve të bashkohen në shenjë solidarizimi me familjen Avdia.

Po ashtu ai theksoi se të gjithë ministrat që janë përgjegjës duhej të kishin dhënë dorëheqjen ose të ishin shkarkuar.

Këtu ligjin e bëjnë të fortët dhe ajo pamje e llahtarshme që ndodhi atje është pamje e një shteti brutal dhe të papërgjegjshëm me qytetarë të thjeshtë dhe të pambrojtur të cilët rrezikohen pikërisht nga papërgjegjshmëria e brutaliteti i shtetit të tyre. 

Çdo qytetar duhet t’i bashkohet kësaj proteste, jo vetëm për të shprehur solidaritetin me këtë familje fisnike, por njëkohësisht për të parandaluar ngjarje të tilla në të ardhmen. Sepse nuk është e para që ndodh për shkak të papërgjegjshmërisë së zyrtarëve të shtetit.

Kemi pasur edhe fatkeqësi të tjera dhe në vend t’i japim fund këtyre fatkeqësive dhe të kishim shtgetin që parandalon. Minimumi të gjithë ministrat përgjegjës për zbatimin e vendimit të qeverisë duhet të kishin dhënë dorëheqjen ose të ishin shkarkuar nga kryeministri, bashkë me kryetarin e bashkisë ku ka ndodhur kjo ngjarje kaq e rëndë.”- tha Meta.

Më herët familjen Avdia e vizituan për ngushëllim edhe ish-kryeministri Sali Berisha si dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano.