Autoritetet kiliane kanë nisur një hetim mbi një gropë të madhe që u shfaq pranë një miniere bakri në shkretëtirën Atacama të vendit gjatë fundjavës.
Ekspertët nga Shërbimi Kombëtar i Gjeologjisë dhe Minierave të vendit (Sernageomin) filluan punën në vendin në Tierra Amarilla ku banojnë rreth 13,000 njerëz, të martën.
Vrima ka një diametër prej rreth 32 metrash, gjë që e bën atë më të madhe se një fushë tenisi.
“Ka një thellësi të konsiderueshme, afërsisht 200 metra deri në fund.” – tha drejtori i Sernageomin, David Montenegro.
Agjencia do përcaktojë shkakun e shembjes dhe ‘të sigurojë që të gjitha masat e sigurisë janë marrë për të mbrojtur jetën e punëtorëve dhe komuniteteve afër zonës’, premtoi ai.
“Ne nuk kemi zbuluar ndonjë material atje poshtë, por kemi parë praninë e madhe të ujit .” – tha Montenegro.
Kryetari i bashkisë së Tierra Amarilla, Cristian Zuniga e përshkroi gropën si ‘të paparë’ dhe kërkoi të dihej ‘nëse rrëzimi është produkt i aktivitetit minerar apo diçka tjetër’.
Firma kanadeze Lundin Mining, e cila operon minierën lokale të bakrit, tha se pezulloi punën e zhvillimit në vendin e Alcaparrosa pas shfaqjes së gropës.