Pandemia e ka ndikuar shumë negativisht sektorin e arsimit në vendi tonë, pasi të dhënat zyrtare tregojnë se numri i nxënësve të diplomuar në arsimin e mesëm ka pësuar ulje të ndjeshme.
Raporti Bruto i Diplomimit (GGR) që është numri i të diplomuarve, pavarësisht moshës në një nivel arsimi në raport me popullsinë e moshës tipike që diplomohet në atë nivel specifik.
Sipas të dhënave të INSTAT, GGR-ja arriti në 79.6 % nga 84.6% që ishte para pandemisë.
Kjo do të thotë se, vetëm 79.5% e 18 vjeçareve morën diplomë të shkollës së mesme më 2021 nga 84.6 për qind që morën diplomë në vitin 2019, para se të niste pandemia.
Në vitin shkollor 2020-21, përfunduan studimet në arsimin e mesëm dhe u diplomuan 31.136 nxënës, me një raport bruto të diplomimit (GGR) prej 79,6 %.
Përveç se, shumë nxënës që kanë vazhduar arsimin e mesëm nuk ka arritur të diplomohen rezultat në tërësi kanë pësuar rënie të dukshme. Kjo u pa edhe tek rezultatet e maturës shtetërore 2022 ku në të gjithë vendin u vlerësuan me note maksimale vetëm 4 nxënës. Gjithashtu në provimet e maturës 2021, në matematikë, vetëm 4 gjimnazistë morën notën 10 absolute nga 166 në vitin 2020.
Rezultatet patën rënie të ngjashme, si në provimin e gjuhës shqipe dhe gjuhës së huaj. Mësuesit dhe ekspertët e arsimit thanë se rezultatet e dobëta janë pasojë e dëmit që pandemia ka krijuar në arsim.
Sektori i arsimit është përballur me pasoja edhe në vendet më të zhvilluara, edhe pse masat kufizuese ishin më të buta dhe infrastruktura arsimore dhe digjitale është më e fortë se në vendin tonë.
Brezi i maturantëve që u diplomua këtë vit ka kaluar një periudhë të gjatë të studimeve të mesme nën kufizime. Njohuritë e marra gjatë pandemisë u dëmtuan rëndë. Shumë nxënës e kishin të pamundur të ndiqnin mësimin online, pasi nuk kishin mjetet e duhura pohojnë mësuesit në shkollat e mesme të Tiranës.
Sakaq treguesit e financimeve për sektorin e arsimit u përkeqësuan më tej më 2021. Shpenzimet publike në sektorin e arsimit për vitin 2021 kanë qenë 58,4 miliardë lekë. Krahasuar me vitin 2020, shpenzimet publike në arsim shprehur si përqindje ndaj PBB kanë shënuar ulje me 0,2 pikë përqindje, ndërkohë shpenzimet publike në arsim shprehur si përqindje ndaj shpenzimeve publike gjithsej, kanë shënuar rënie me 0,3 pikë përqindje.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor