Ministria e financave po përgatitet të marrë në administrim disa njësi të pushtetit vendor, të cilat janë në faliment për shkak të mungesës së aftësisë paguese.
Financat ne mënyre zyrtare shpallen kriteret e përzgjedhjes dhe fillimin e procesit të aplikimit për administratorët e njësive të vetëqeverisjes vendore (NJVQV-ve) që mund të jenë në kushtet e vështirësive serioze financiare apo paaftësisë paguese.
Ministria e Financave ka shpallur një konkurs me disa kritere për personat që do të marrin në administrim njësitë e pushtetit vendor.
Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj në një takim që zhvilloi më herët me kryetarët e bashkive bëri me dije se, në vështirësi financiare serioze paraqiten Bashkia e Vorës dhe ajo e Kavajës.
Ibrahimaj ju la afat bashkive me probleme financiare deri më datë 15 korrik për të dorëzuar në ministri një plan të detajuar për përmirësimin e financave, por duket se bashkitë nuk e morën seriozisht këtë paralajmërim.
Një javë më vonë me 22 korrik Ministria e Financave shpalli konkursin për administratorët që do marrin në dorë qeverisje reale të bashkive në faliment.
Sipas kritereve që ka vënë Ministria e Financave, aplikanti për administrator duhet të jetë i arsimuar në shkencat ekonomike ose juridike me master shkencor, të ketë së paku 10 vite eksperiencë në administratën publike, të ketë njohuri të thelluara në fushën e menaxhimit të financave publike në nivel vendor dhe gjithashtu nuk duhet të ketë konflikt interesi me njësitë e qeverisjes vendore. Personat e interesuar mund të aplikojnë deri në fund të muajit gusht.
Pak ditë më parë në një takim me kryetarët e Bashkive Kryeministri Rama i paralajmëroi, se do nisë një fazë shtrëngimi, ku nuk do të ketë më tolerancë për bashkitë që thellojnë më tej borxhin. Ai paralajmëroi se bashkitë që nuk kanë disiplinë financiare do të merren nën administrim.
Më herët parlamenti ka miratuar një kuadër ligjor, i cili ka përcaktuar kriteret që e klasifikojnë një bashki në vështirësi financiare dhe rastet kur këto bashki merren në administrim nga Qeveria qendrore, e cila duket se ka nisur procesin e emërimit të administratorëve të rinj për këto bashki./B.Hoxha
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor