Vendosni fjalën kyçe....

Aksidenti i mori jetën 27-vjeçarit që sapo ishte kthyer nga Italia, arrestohet shoferi i kamionit


Arrestohet shoferi i kamionit që u përfshi të enjten në një aksident të rëndë që rezultoi me humbjen e jetës së 27-vjeçarit Festim Meçja.

Aksidenti ndodhi një ditë më parë në Rrogozhinë, në vendin e quajtur “Bishti i Zhurit”.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kavajë arrestuan në flagrancë, për veprën penale ‘Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor’, shtetasin I. M., 49 vjeç, banues në Tiranë, pasi ditën e djeshme, duke drejtuar një mjet kamion është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin F. M., 27 vjeç, dhe si pasojë e aksidentit 27-vjeçari ka humbur jetën.”– bën me dije Policia.

Festim Meçja u aksidentua ditën e djeshme vetëm pak kilometra larg banesës së tij në Sinaballaj të Rrogozhinës. Ai sapo ishte kthyer nga Italia pa u treguar familjarëve, pasi donte t’ua bënte atyre surprizë.

Por parakalimi i gabuar dhe humbja e kontrollit të automjetit tip “Benz” që drejtonte, bëri që mjeti të përfundonte poshtë rrotave të kamionit.

Meçja mbeti i bllokuar për rreth një orë në mjet derisa u bë e mundur nxjerrja e trupit të pajetë. Ndërsa shoferi i kamionit, nuk pësoi dëmtime por mbeti i shokuar nga ngjarja e rëndë.