Vendosni fjalën kyçe....

Dëshmia e babait të 7-vjeçares që u vra në Himarë: Skafi hyri me shpejtësi dhe më ndau nga vajza


Zbardhet dëshmia e Bledar Avdias, babait të vajzës 7-vjeçare që humbi jetën tri ditë më parë në plazhin e Potamit në Himarë, ku u godit me skaf nga ish-polici Arjan Tase.

Sipas dëshmisë së publikuar nga “Balkanweb”, babai ka treguar se skafi i drejtuar nga Tase e ka ndarë nga vajza teksa ishin duke notuar, por ndërsa ai është zhytur poshtë, motori e ka goditur Jonadën duke i shkaktuar dëmtime në të gjithë trupin.

“Ishte ora rreth 14:00 dhe pranë bregut të detit isha duke u larë me vajzën. Në ato momente pashë një skaf të bardhë, me dy veta brenda tij. Skafi parkoi në bregun e plazhit pranë një hoteli dhe pashë që zbriti një vajzë dhe më pas një grua me dy fëmijë hipën në skaf dhe drejtuesi i skafit kaloi litarin me piketa dhe ishte duke lundruar në drejtimin ku po lahesha me vajzën.

Erdhi në drejtimin tonë dhe hyri me shpejtësi të madhe dhe na ndau mua dhe vajzën. Unë u zhyta poshtë nën ujë dhe skafi goditi vajzën time me pjesën e motorit, duke e dëmtuar në të gjithë trupin. Skafi u largua, por pastaj skafisti u kthye, duke ndaluar skafin në breg.”- është shprehur babai i 7-vjeçares.

Në lidhje me ngjarjen ka folur edhe një kushëri i 7-vjeçares, që ishte dëshmitar okular. Personi me iniciale E.Z., ka thënë se ishin duke u larë në det kur skafi u afrua dhe megjithëse të gjithë po i bërtisnin ndalo, drejtuesi ka vijuar.

“Ishin duke u larë në det dhe në këto momente një skaf i madh u afrua. Kur erdhi pranë skafi mori njerëz në breg dhe në ato çaste goditi fëmijën me helika. Të gjithë ne të tjerët që ishim në breg filluam t’i bërtisnim drejtuesit të skafit: ‘Ndalo se e vrave vajzën’. Drejtuesi i skafit vazhdoi të ecë pa dhënë asnjë ndihmë. Hyra në det dhe e nxora Jonadën e pajetë.”- ka deklaruar ai.