I dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk duhet të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, dhe të krijojë “shtet brenda shtetit”.
Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, Escobar tha se qëndrimi i SHBA-së është që të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, por tha se duhet të ketë diskutim për çështjen e Asociacionit, që të mos bie ndesh me ligjet.
Gjatë këtij diskutimi ai foli edhe për situatën në rajon dhe përsëriti qëndrimin se “nuk do të ketë luftë në Bosnjë e Hercegovinë”.
“Ne kemi qenë të qartë se palët janë pajtuar më herët për Asociacionin, prandaj duhet të diskutohet. Megjithatë, Asociacioni nuk duhet të ndërhyjë, nuk duhet të bie në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, nuk duhet të krijojë probleme në funksionalitetin e Kosovës dhe nuk duhet të jetë shtet brenda një shteti”, deklaroi ai.
Escobar tha se ka modele të shumta evropiane, ku minoritetet mund të mbrojnë trashëgiminë e tyre kulturore dhe gjuhën amtare, por pa shkelur kornizën kushtetuese të vendit ku jetojmë.
“Ne duam të gjejmë disa prej këtyre shembujve, dhe ndoshta edhe t’i përdorim si udhëzues për të zbatuar Asociacionin. Prandaj, kam shpresë se mund t’i diskutojmë këto në Bruksel më vonë gjatë këtij muaji”, shtoi ai.