Vendosni fjalën kyçe....

Meta: Rama do japë llogari si Çeçua, me paratë e shqiptarëve po ndërtohen rrugë të florinjta


Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në një intervistë për MCN TV deklaroi se Edi Rama e ka mbyllur kapitullin e tij si kryeministër.

Sipas Metës, kryeministri është penguesi dhe vonuesi i procesit të integrimit evropian për Shqipërinë.

Mendoj që z.Rama e ka mbyllur prej kohësh kapitullin e tij si kryeministër. I janë dhënë mundësi të jashtëzakonshme. Është më i dështuari në historinë e Shqipërisë. Është kryeministri më i korruptuar në të gjitha raportet ndërkombëtare, në të gjitha krahasimet që bëhen. Është penguesi dhe vonuesi kryesor i procesit të integrimit evropian të Shqipërisë për shkak të përpjekjes së tij për të kapur drejtësinë, për shkak të përkrahjes që i dha kanabizimit të Shqipërisë, forcimit të grupeve kriminale, paprekshmërisë së tyre, dëmeve të jashtëzakonshme që i bëri pluralizmit politik dhe sistemit të llogaridhënies në vend. Ku ka qenë ndonjëherë Shqipëria në këtë situatë që të mos ketë një këshilltar opozita në asnjë bashki të vendit?! Ku e dinë qytetarët sot në çdo bashki se si menaxhohen fondet, taksat dhe si menaxhohen shërbimet e tyre. Këtu e katandisi Rama Shqipërinë dhe Shqipëria po zgjohet për t’u ndarë njëherë e mirë nga regjimi i tij”, tha Meta.

Sipas tij, korrupsioni është armiku më i madh i lirisë duke theksuar se lufta kundër korrupsionit do na ndihmojë të luftojmë edhe varfërinë.

Meta theksoi se paratë e shqiptarëve shkojnë për t’i bërë rrugët e florinjta duke shpërdoruar buxhetin e shtetit në mënyrë kriminale.

Korrupsioni është armiku më i madh i lirisë. Lufta kundër korrupsionit do na ndihmojë të luftojmë edhe varfërinë sepse është gjithë ky korrupsion i madh që ka sjellë këtë polarizim kaq të madh në shoqërinë tonë, vendi me rrogat më të ulëta në rajon, me pensionet më të ulëta në rajon, kur para 8-10 vjetësh ishte një situatë krejt ndryshe. Sepse të gjitha lekët shkojnë për inceneratorë që vidhen edhe paguhen ata që janë në kërkim, të cilët janë pronarë formalë, sepse realët janë ata që vazhdojnë pagesat dhe kanë gjithë mundësinë për ta ndërprerë këtë shpërdorim kriminal të fondeve të buxheteve të shtetit, paratë shkojnë për t’i bërë nga 10-fish ato rrugët, për t’i bërë të florinjta, jo të asfalta, shkojnë kudo për të vjedhur për të shpërdoruar”, u shpreh ai.

Meta u pyet edhe për spekulimin se edhe ai mund të shpallet non grata nga SHBA duke e cilësuar si një histori të të gatuar në kuzhinën propagandistike të Edi Ramës.

Nuk merrem me këto çështje fare dhe ju e dini qëndrimin tim edhe kur është shpallur z.Berisha. Unë respektoj vendimin e çdo vendi kudo në botë dhe absolutisht që kjo s’ka asnjë lidhje me raportet e Ilir Metës, në radhë të parë me popullin e Shqipërisë, sepse mendoj që ky është raporti kryesor që më mban mua në politikë, por jo vetëm në politikë, por në të gjithë jetën time si atdhetar, qytetar, si patriot, dhe si njeri i lindur dhe i vendosur për t’i shërbyer gjithnjë vendit tim pavarësisht nga pozita ime. Siç kam bërë gjithmonë, kështu do të bëj edhe në të ardhmen. Sa i përket raporteve ndërkombëtare, unë kam qenë në krye të çdo përpjekjeje për integrimin evropian të Shqipërisë dhe askush s’ka bërë më shumë si politikan në 30 vjet, në mënyrë koherente, për të ndihmuar këtë proces, se sa Ilir Meta. Në të ardhmen do të plotësojmë çdo detyrim që kemi në raport me BE-në. Kam qenë që në fillimet e mia, edhe kur PS ishte kundër pranimit në NATO, për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Dhe ne do të plotësojmë të gjitha detyrimet që kemi ndaj NATO-s në të ardhmen. Të gjitha këto të tjerat janë histori të kuzhinës propagandistike të Edi Ramës”, deklaroi Meta.

Kreu i Partisë së Lirisë, nënvizoi se “Rama do të japë llogari si “Çeçua” për të gjitha shkeljet që ka bërë.

Partia e Lirisë do të marrë pjesë në çdo palë zgjedhje, në çdo moment, urojmë dhe shpresojmë dhe punojmë që të kemi zgjedhje sa më të shpejta, të përgjithshme dhe vendore, sepse Shqipëria ka nevojë për legjitimitet, Shqipëria ka një Parlament me vota të vjedhura, e shikoni edhe vet si është atje, ka një qeveri jo legjitime, që shkel çdo ditë ligjin dhe Kushtetutën, s’mban asnjë përgjegjësi për këto fatkeqësi që i shkakton popullit shqiptar dhe populli i Shqipërisë ka ardhur koha të vendos sovranitetin e tij dhe t’u jap legjitimitet institucioneve përmes votës së lirë. Edi Rama do të japë llogari si Çeçua, kjo është e padiskutueshme”, tha Meta.