Vendosni fjalën kyçe....

Në kulmin e Covid-19, u rrit përqindja e shqiptarëve që mendojnë se shëndeti i tyre u përmirësua


Në kulmin e pandemisë Covid -19, ku një pjesë e madhe e popullsisë u prek nga pandemia dhe vdekshmëria arriti në rekorde, përqindja e qytetarëve shqiptare që mendojnë se gjendja e tyre shëndetësore është përmirësuar me 2020 shënoi rritje ne krahasim me vitin 2019.

Një botim i fundit i INSTAT, Shqipëria në shifra referoi se, në vitin 2020, 82,8% e Individëve 16 vjeç e lart kanë deklaruar se gjendja e tyre shëndetësore ka qenë shumë mirë ose mirë kundrejt 82 % që Ishte në vitin 2019.

Ndërkaq, 4,5% e Individëve 16 vjeç e lart, bazuar në vet-perceptimin e tyre, kanë deklaruar se gjendja e tyre shëndetësore ka qenë keq ose shumë keq, duke pësuar rënie me 0,3 pikë përqindje krahasuar me vitin 2019.

Në vitin 2020, 21% e Individëve 16 vjeç e lart kanë raportuar se kanë nevojë të paplotësuar për ekzaminim ose trajtim dentar, krahasuar me 23,4% që Ishte në vitin 2019.

Nevojat e paplotësuara për ekzaminim ose trajtim mjekësor ose dentar lidhen me një sërë arsyesh ku mund të përmenden mos përballimi financiar i shërbimit, pritja në listë, mungesa e kohës për shkak të punës, largësia ose mungesa e transportit, në pritje se mos kalon vetë problemi i tyre shëndetësor, etj.

Të dhënat janë kalkuluar nga Anketa e të Ardhurave dhe Nivelit të Jetesës 2019, 2020. INSTAT shpjegon se, gjendja shëndetësore bazohet në vetë-perceptimin subjektiv të Individëve dhe i referohet shëndetit në përgjithësi dhe jo problemeve të përkohshme duke përfshirë dimensionet e ndryshme të shëndetit si shëndeti mendor, emocional dhe fizik.

Shqipëria ka një përqindje të lartë të personave që kanë nevoja të paplotësuar shëndetësore. Për shkak të fondeve të pakta në dispozicion, Shqipëria nuk e ka të përfshirë në sistemin e sigurimeve shëndetësore trajtimin dentar për shtresat ne nevojë.

Shpenzimet publike në sektorin e shëndetësisë për vitin 2021 janë 63.570 milionë lekë. Këto shpenzime përbëjnë 10,67% të shpenzimeve publike gjithsej për vitin 2021 dhe zënë një peshë prej 3,36% në PBB-në gjithsej.

Shpenzimet publike në shëndetësi shprehur si përqindje ndaj PBB kanë shënuar rritje me 0,23 pikë përqindje, ndërkohë shprehur si përqindje ndaj shpenzimeve publike gjithsej, kanë shënuar rritje me 1,01 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2020.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al