Kandidati për lider të konservatorëve në Britani Rishi Sunak nuk e ka përjashtuar tërheqjen e Mbretërisë së Bashkuar nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ) që synon të godasë emigrimin e paligjshëm, duke argumentuar se ‘asnjë mundësi nuk duhet të jetë jashtë tryezës’.
Në një intervistë me kanalin televiziv GB News të transmetuar të shtunën, Sunak tha se ishte i mërzitur nga fakti që ‘mijëra njerëz po vijnë në mënyrë të paligjshme në këtë vend me varka të vogla’ përgjatë Kanalit Anglez.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje nëse ishte i përgatitur të largohej nga GJEDNJ për të arritur qëllimin e tij, ai tha se nëse masat e tjera rezultojnë jo mjaft efektive, ‘asnjë opsion nuk duhet të jetë jashtë tryezës sepse ne duhet të kemi kontroll mbi kufijtë tanë’.
“Çdo vend sovran duhet të jetë në gjendje ta bëjë këtë.” – tha ai.
Duke theksuar se rifitimi i kontrollit mbi emigracionin ishte një nga arsyet për mbështetjen e tij për Brexit, ai renditi disa nga masat që dëshiron të prezantojë për të adresuar problemin.
“Ne duhet të ndryshojmë përkufizimin e azilit.” – tha ai. Ai shpjegoi se Mbretëria e Bashkuar tani përdor përkufizimin e GJEDNJ-së, i cili, sipas mendimit të tij, është shumë i gjerë dhe ‘i shfrytëzuar nga avokatët e majtë për shumë arsye të rreme’.
“Pra, unë mendoj se ne duhet të kalojmë në një përkufizim tjetër, një standard tjetër ndërkombëtar që përdorin australianët dhe të tjerët, i cili është shumë më i ngushtë dhe më i qartë.” – tha Sunak, vetë bir i emigrantëve.
Ai sugjeroi gjithashtu se Mbretëria e Bashkuar duhet të jetë ‘më e ashpër’ me politikën e saj të jashtme dhe të mos ngurrojë t’u kërkojë vendeve të tjera të marrin përsëri ‘azilkërkuesit e tyre të dështuar’.
Ish-Kancelari theksoi gjithashtu se, në përputhje me ‘planin e tij radikal’, ai është i përgatitur të ‘bëjë gjithçka që duhet’ për të funksionuar politikën e dërgimit të emigrantëve të paligjshëm në Ruandë.
Për këtë çështje, ai është dakord me konkurrenten e tij për postin drejtues të konservatorëve, Sekretaren e Jashtme Liz Truss, e cila gjithashtu mbështet politikën, pavarësisht pengesave ligjore dhe kritikave.
Ndërkohë, siç raportoi Daily Mail, gjatë shtatë viteve të fundit qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka shpenzuar pothuajse gjysmë miliardë stërlina për të parandaluar emigrantët të nisin udhëtimin e rrezikshëm përtej Kanalit.
Megjithatë, numri i kalimeve të paligjshme ka vazhduar të rritet. Vetëm gjatë javës së kaluar 1,372 migrantë të paligjshëm arritën në brigjet e Mbretërisë së Bashkuar, duke e çuar totalin për këtë vit tani mbi 17,000.