Vendosni fjalën kyçe....

Elon Musk thotë se do ta blejë “Twitter”-in me një kusht


Miliarderi Elon Musk i është kthyer përsëri marrëveshjes së dështuar për të blerë Twitter-in.

Në një postim, ai thotë se do ta realizonte marrëveshjen për të blerë Twitter-in, nëse platforma e mediave sociale demonstron se si e kontrollon vërtetësinë e llogarive të përdoruesve.

Duke iu përgjigjur një komenti, Musk tha se marrëveshja për të blerë Twitter “duhet të vazhdojë sipas kushteve origjinale” nëse platforma ndan me të metodën e tyre për marrjen e mostrave të llogarive për të përcaktuar se ato janë të vërteta.

“Nëse Twitter thjesht ofron metodën e tij për marrjen e mostrave të 100 llogarive dhe se si ato konfirmohen se janë reale, marrëveshja duhet të vazhdojë sipas kushteve origjinale.

Megjithatë, nëse rezulton se dosjet e tyre të SEC-së janë materialisht të rreme, atëherë marrëveshja nuk duhet të vazhdojë.”- shtoi ai, duke iu referuar dokumenteve rregullatore që kompanitë duhet të dorëzojnë në Komisionin e Letrave me Vlerë (SEC) për hir të transparencës.

Kujtojmë se në prill, sipërmarrësi njoftoi synimin e tij për të blerë platformën e mediave sociale për 44 miliardë dollarë. Më pas, në maj, Musk tha se po përpiqej të merrte informacion që do të konfirmonte se llogaritë e rreme dhe ato që përdoren për të dërguar mesazhe masive reklamuese në platformë përbëjnë më pak se 5% të numrit total të përdoruesve realë të Twitter-it. Në fillim të korrikut, avokatët e Musk njoftuan Twitter-in se ai nuk dëshironte të vazhdonte më marrëveshjen sepse kompania nuk i kishte dhënë atij këtë informacion. Twitter, edhe pse fillimisht hezitoi të pajtohej me planet e blerjes së Musk, ngriti një padi kundër tij më 12 korrik në një përpjekje për ta detyruar atë të përfundonte blerjen. Më 29 korrik, Musk paraqiti një kundërpadi kundër kompanisë.

Tanimë një gjykatë në Delaware e ka caktuar seancën dëgjimore në tetor.