Vendosni fjalën kyçe....

Francezët paralajmërohen për mungesë qumështi


Qytetarët francezë mund të përballen me mungesë qumështi dhe nënproduktesh qumështi këtë vjeshtë dhe dimër për shkak të mungesës së foragjereve të shkaktuar nga thatësira, paralajmëroi të shtunën sindikata e prodhuesve bujqësorë të Francës (FNSEA).

“Për të prodhuar qumësht duhet foragjere, kryesisht jonxhë dhe misër, që këtë vit thuajse nuk ekziston. Kështu që ne rrezikojmë të mbesim pa qumësht këtë vjeshtë dhe dimër.” – tha për Le Figaro Yannick Fialip, kreu i komisionit ekonomik në FNSEA.

Ai tha se për shkak të thatësirës që ka goditur vendin këtë vit, kafshët ‘që zakonisht ndodhen në livadhe gjatë kësaj periudhe nuk kanë asgjë për të ngrënë’.

Fialip vuri në dukje se çmimi i qumështit në Francë ka qenë tradicionalisht 20% më i ulët se në shumë vende të tjera evropiane, si Gjermania dhe Holanda, dhe se fermerët francezë po kërkojnë gjithnjë e më shumë ‘rishikime të çmimeve’ për të ‘siguruar qëndrueshmërinë e prodhimit’.

Zyrtari bëri thirrje për aktivizimin e një ‘fondi të fatkeqësive’ përmes të cilit fermerët mund të lejohen të blejnë foragjere që janë 50% të subvencionuara nga qeveria.

Franca po përjeton një thatësirë ​​të paparë prej shumë javësh. Muajin e kaluar, vendi pa vetëm 9.7 milimetra shi, shumë më poshtë mesatares prej 70 milimetrash në vitet e tjera, sipas agjencisë meteorologjike La Chaine Meteo.

Kjo e bëri korrikun 2022 muajin më të thatë në Francë që nga viti 1959. Deficiti i shiut, ndër problemet e tjera, ka shkaktuar mungesë të ujit të pijshëm në më shumë se njëqind qytete në të gjithë vendin.