Vendosni fjalën kyçe....

Karikuesit portativë kinezë mund të spiunojnë përdoruesit – Raporti


Mediat kontinentale kineze zbuluan kohët e fundit se karikuesit portativë të energjisë të prodhuara në Kinë mund të përgjojnë dhe lokalizojnë përdoruesit. Ato janë të disponueshme në tregun kinez dhe nuk janë të rregulluara nga regjimi.

Revista periodike ‘Ban Yue Tan’ raportoi më 27 korrik se vitet e fundit, karikuesit që mund të përgjojnë, lokalizojnë individë dhe kanë funksione të tjera që spiunojnë përdoruesit, janë shitur në treg.

Thjesht duke modifikuar një kartë SIM të integruar të komunikimit, karikuesi mund të shndërrohet në një pajisje dëgjimi dhe gjurmues, duke mundësuar mbikëqyrje në largësi dhe pozicionim të saktë në çdo kohë dhe kudo.

Sipas raportit, kur një banor, i quajtur Wang në qytetin Guiyang, e çoi karikuesin e tij për riparim, tekniku gjeti pajisje përgjimi dhe lokalizimi në të. Tekniku i tha atij se sapo dikush të përdorë funksionin nga largësia, jeta e z. Wang do të ‘transmetohet drejtpërdrejt’ pa e ditur ai.

Këto lloje të karikuesve portabël ndryshojnë në ngjyrë dhe stil, por shumica e tyre kanë funksione të tilla si ‘mbikëqyrja dhe regjistrimi në distancë’ si dhe ‘pozicionimi i saktë’ dhe mund të personalizohen. Çmimi varion nga 300 juanë në 600 juanë (rreth 45 deri në 89 dollarë), dhe ato shiten në disa tregje online kineze.

Gazetari i ‘Ban Yue Tan’ porositi një karikues të tillë, ndoqi udhëzimet për të shkarkuar një aplikacion të quajtur ‘GPS365’ në celular dhe përdori informacionin e hyrjes të dhënë nga shitësi për të parë të gjitha funksionet si pozicionimi, trajektorja, kontaktet dhe mesazhet në faqen e saj të internetit në celular.

Gazetari klikoi ‘vendndodhja’ dhe zbuloi se trajektorja e lëvizjes së transportuesit të karikuesit mund të zbulohet dhe regjistrohet qartë, madje edhe në metro, parkingje dhe vende të tjera. Vendndodhja nuk ndikon në saktësinë e funksionit të pozicionimit.

Përveç karikuesve, altoparlantët Bluetooth, prizat e energjisë, çakmakët dhe pajisjet e tjera të përdorimit të përditshëm shpesh shndërrohen në pajisje dëgjimi dhe gjurmues për të spiunuar individë në Kinën kontinentale. Shumë shitës tregtojnë pajisje të tilla spiunazhi me justifikimin e ‘kundërvjedhjes’ dhe ‘parandalimit të humbjes së të moshuarve dhe fëmijëve’.

Tani për tani, regjimi komunist kinez nuk kërkon që prodhime të tilla si gjurmuesit GPS të kenë certifikim dhe nuk ka rregulla kundër shtimit të funksioneve të regjistrimit në pajisje.