Vendosni fjalën kyçe....

Malltezi ngre 5 pyetje për SPAK: Çfarë halli apo pazari e detyroi Ramën të gënjejë sikur u kryen 10 procedura brenda 1 dite për Inceneratorët


Partia Demokratike vijon me pyetësorin e përditshëm për Inceneratorët. Anëtari i Këshillit Kombëtar, Jamarbër Malltezi ka dalë në një deklaratë nga selia blu, ku shprehet se qeveria injoroi financimin prej 4 milionë eurosh të BE për të vrapuar pas një propozimi të pakërkuar për inceneratorët.

 “Paguhet shumë për ta varrosur aferën e inceneratorëve, me të cilën kanë vjedhur 105 milion euro deri tani, dhe vijojnë çdo ditë. Jo vetëm para’ të shqiptarëve, por edhe taksapaguesve europianë. Bashkimi Europian ka dhënë 4 milionë euro për përafrim legjislacioni mjedisor përmes projekteve STEMA dhe Selea. Sapo u sinkronizuan ligjet, u hartuan Strategjia dhe Plani Kombëtar i Mbetjeve.

Këto u injoruan dhe u vrapua pas një propozimi të pakërkuar për inceneratorë. Inceneratorët bien ndesh, qoftë me strategjinë, qoftë me planin e veprimit të financuara nga Bashkimi Europian.”- u shpreh Malltezi.

Pas këtyre fjalëve ai ngre 5 pyetjet e radhës të PD-së drejtuar SPAK-ut. Mes tyre pyet se çfarë halli apo pazari e detyroi Ramën të gënjente se u kryen 10 procedura brenda 1 dite.

Ai thotë se “Këto janë pyetje shumë të thjeshta për shqiptarët, por shuuuumë të vështira për drejtësinë e Soros. Ne kemi një përfundim: Të gjitha këto ndodhin SEPSE ATA I NDAJNE PARATË SË BASHKU. Të dashur shqiptarë, ju si mendoni?”.

Pesë pyetjet për SPAK:

  1. Pse u dhunua Strategjia dhe Plani Kombëtar për Menaxhimin e Mbetjeve që ishin në fuqi?  
  2. Pse u firmos kontrata, ndonëse APP kish sqaruar se procedura ishte e kundraligjshme?
  3. Edi Ramën e zuri ndonjë hall i madh apo bëri ndonjë pazar po kaq të madh që firmosi kontratë në kundërshtim me ligjin?
  4. Pse u mashtrua sikur kompania e sapokrijuar kishte eksperiencë të madhe me incenerimin? Si qëlloka që miqtë e Edi Ramës dhe Arben Ahmetajt qenkan ‘nonat e incenerimit’?
  5. Çfarë halli apo pazari e detyruan Edi Ramën që gënjeu sikur u kryen 10 procedura brenda 1 dite?