Vendosni fjalën kyçe....

Media greke: Shqiptarët transferuan kulturën e kultivimit të hashashit, kapet mall me vlerë 10 milionë euro


Pjesëtarë të grupeve kriminale nga Shqipëria kanë transferuar kultivimin e kërpit indian në malet greke, siç duket edhe nga hetimet e deritanishme të Administratës së Drogës.

Kufizimet e qarkullimit dhe mbyllja e kufijve për shkak të koronavirusit, sipas vlerësimeve të Prokurorisë, ishin ato që sollën fillimisht kultivimin mjaft fitimprurës të hashashit në Greqi, në vend të importit të hashashit nga Shqipëria dhe siç rezulton, pavarësisht heqjes së masave kultivimi vazhdon në malet greke.

Për nevojat e kultivimit nga Shqipëria janë shpërngulur edhe punëtorët që paguhen për të jetuar në mal gjatë sezonit të kultivimit.

Nga gjykimi i rasteve të mëparshme bëhet e ditur se të arrestuarit në Larisa kanë marrë një shpërblim në të holla prej 30 mijë eurosh, ndërsa me të korrat në formë bonusi do të merrnin edhe 10 kilogramë hashash.

Punonjësit shqiptarë të hashashit e njohin kultivimin, por më së shumti e njohin nga jetesa malore, pasi kampin në mal e bëjnë nga prilli, duke kultivuar lloje ‘tremuajshe’ deri në tetor. Në rastet e Larisës dhe veçanërisht në Mavrovouni Agia, kultivuesit kur vihen re nga Policia ‘ngjiten’ në zona më të larta ose kur nuk bien në sy, pastrojnë sipërfaqet pyjore për sezonin e ri të rritjes.

Sipas informacioneve të “E”, 30-vjeçari i arrestuar dhe ‘kokë drejtuese’ e kultivimit, i cili u identifikua pardje nga efektivët e policisë së Prokurorisë së Narkotikëve të Larisës në Sklithro, dyshohet se është përfshirë edhe në kultivimin që u vu re në tetor 2020 në Rakopotamos ku autorët lanë pas 40 kilogramë hashash.

Në datën 24 korrik 2020 ka ndodhur edhe një operacion nga Prokuroria e Narkotikëve të Larisës në Elafos, ku në një nga rastet e rralla janë arrestuar dy shtetas shqiptarë në një plantacion prej 373 bimësh.

Me plantacionin e djeshëm, me fjalë të tjera, brenda një periudhe dyvjeçare, në të njëjtin mal (Mavrovuni) të Agisë u vendosën tre plantacione të mëdha në tre zona të ndryshme, malore dhe të paarritshme (Elafos, Rakopotamos, Sklithro).

Ashtu siç u konfirmua edhe në plantacionin e djeshëm, autorët po organizojnë jetesën e tyre, pasi do t’u duhet të qëndrojnë me muaj në mal.

Ata ndërtojnë rezervuarë të improvizuar për ujitjen e plantacioneve, prokurojnë mallra bujqësore (plehra, ujitje me pika, etj.), si dhe sigurojnë ushqim afatgjatë, ndërsa të veçanta janë masat paraprake, kryesisht me anë të vëzhgimit nga ajri, pasi zonave të mbjellave, për shkak të pozicionit të pakalueshëm, është e pamundur t’i afrohesh në këmbë, pasi rruga më e afërt rurale ose pyjore është me orë të tëra në këmbë.

Në plantacionin e djeshëm të hashashit të Sklithros në zonën ‘Elafokerato’ (në lartësinë 600 metra nga deti) përveç 2193 bimëve (plantacioni më i madh që ka deri më sot në prefekturë) që policia sekuestroi, u gjetën edhe 22 kilogramë hashash në tufa, pa llogaritur sasinë e korrur në periudhën e mëparshme.

Policia vlerëson se nga numri i bimëve të sekuestruara, autorët do të kishin korrur rreth 5 ton hashash, me vlerë 10 milionë euro, përmasa që nga njëra anë konfirmon fitimet e mëdha nga tregtia e substancave të varësisë dhe nga ana tjetër lejon paga si ato të punëtorëve në mal.

Vlen të theksohet se në banesën e 30-vjeçarit të arrestuar, në një fshat të komunës së Kilelerit, u gjetën dhe u konfiskuan tre pasaporta të shtetasve shqiptarë.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Onlarissa.gr